RTSH 24 Live

Aktualitet

Vranë dhe groposën babanë, burg për tre fëmijët. Vëllai ndryshon qëndrim: E vrau motra

26/02/2024

Vranë dhe groposën babanë, burg për tre fëmijët. Vëllai ndryshon qëndrim: E vrau motra

Gjykata e Durrësit ka vendosur arrest me burg për tre fëmijët e familjes Meta, të cilët akuzohen se vranë babain e tyre dhe e groposën në kasollen e bagëtive.

Gjatë seancës gjyqësore, vëllai i madh Hysen Meta, 25 vjeç, ka ndërruar dëshminë e tij, duke thënë se babain, Pëllumb Meta, e ka vrarë e motra, Hygerta Meta, 19 vjeç. Më herët ai kishte deklaruar në polici së krimin e kishte kryer ai dhe se vëllai dhe motra nuk kishin asnjë faj.

“Kam qenë i hutuar gjatë marrjes në pyetje nga policia, nuk e kam bërë unë. Hygerta tha se jemi ndjerë të kërcënuar vazhdimisht, na thoshte se do ju vras. Motra e ka qëlluar babain, jo unë. Arsyeja është që donte ta fejonte me zor. Kishin debatuar shumë herë dhe jo gjithmonë kam qenë prezent në debatet e tyre. Me babain nuk kisha marrëdhënie të mira. Kam qenë i hutuar dhe trondit ndaj thashë që e kam bërë unë. Më ka ardhur keq dhe jam tronditur”, tha Hyseni para trupës gjykuese.

Lidhur më këtë prokuroria ka thënë se nuk ka më pyetje për 25-vjeçarin, pasi ai vijon vazhdimisht të ndryshojë qëndrim. Ndërsa vajza 19-vjeçare Hygerta Meta tha se e ka kryer ajo ngjarjen dhe se nga frika ia kishte lënë fajin vëllait të madh. Ajo tha se kishte konflikte të vazhdueshme me të atin dhe se kishte frikë se ai do i vriste.

“Duke qene që ishte shumë e vështirë, frika nga policia ja lashë fajin e vrasjes vëllait. Konflikti ka nisur që në dhjetor. I thashë jo për fejesën. Kisha frikë se nga refuzimi i fejesës se do më vriste. Ai preu bombolën e gazit dhe nuk e rregulloi. Në fund të janarit më tha sërish për fejesën. Më tha që ju nuk keni për të bërë hajër në këtë shtëpi, kishim frikë. Ka pasur konflikte dhe me mamin, e goditur mamin edhe kur ka qenë në gjumë, për shkak se ishte zgjuar vonë. Babi ka qenë gjithmonë agresiv. Nuk e kam denoncuar nga frika, sepse kishim frikë se na vriste. Shumë herë na ka thënë do ju vras. Ai mund të paguante edhe dike për të na vrarë”, tha Hygerta.

E pyetur nga gjyqtarja se si i lindi mendimi për të vrarë babanë, Hygerta tregoi skenën kur ndodhi ngjarja.

“Herë më ka thënë mamaja ka thënë babi do ju vras e një herë e kam dëgjuar vetë. Unë e dija që kishte armë dhe dija momentin kur vinte nga puna. Erdhi babi nga puna ra duke pushuar, ishte me kurriz dhe mora armën, ja tregova babit. Nuk më tha gjë dhe më tha ku shkon me atë armë. Kur më tha kur shkon me të, i thashë çohu në këmbë, ai më “ik andej”. Unë e qëllova pas kësaj, isha 2 metra larg”, tha 19-vjeçarja.

Pas dëshmisë së vajzës, avokati i Hysen Metës kërkoi një masë të butë për të pasi vajza pranoi krimin. Përtej dëshmive dhe kërkesave të avokatëve, gjykata e Durrësit vendosi arrest me burg për të tre fëmijët.

Gjithashtu prokuroria po heton Blerina Metën, nënën e fëmijëve, në gjendje të lirë për moskallëzim krimi. Ajo po qëndron në banesën e prindërve të saj në Gjorm të Kurbinit, ndërsa është marrë në mbrojtje nga policia. Babai i Blerinës, Baftjar Tuga, thotë jashtë kamerave se gjithçka në lidhje me këtë çështje do ta dëshmojnë përpara organeve të drejtësisë.

Në mbyllje të seancës, avokatja e Hygertës tha se “vajza pranoi prapë veprën që e ka kryer ajo dhe ka dhënë dy dëshmi në kundërshtim me njëra-tjetrën. Do të vazhdojnë hetimet pasi prokuroria e ka akuzuar për fshehje të kufomës dhe bashkëpunim në krim dhe jo për vrasje. Ka nevojë edhe për hetime shtesë pasi janë dhënë dëshmi kontradiktore”.

Krimi i rëndë ka tronditur mbarë vendin. Ngjarja ndodhi në fshatin Shënavlash të Durrësit më 10 shkurt dhe trupi u zbulua pas 13 ditësh. Sipas policisë krimi i paramenduar ka ndodhur brenda një dhome të shtëpisë dhes e motivi i vrasjes kanë qenë debatet familjare që kanë pasur dhe nxitja e babait që vajza e tij të fejohej me një person kundër dëshirës së saj.

/rtsh.al/