RTSH 24 Live

Politikë

Vonesa në afishimin e listave të zgjedhësve, Celibashi thirrje bashkive: Zbatoni afatet

15 orë para

Vonesa në afishimin e listave të zgjedhësve, Celibashi thirrje bashkive: Zbatoni afatet

Kreu i KQZ- së Ilirjan Celibashi i ka kujtuar bashkive të vendit të marrin masa për respektimin e afateve dhe kërkesave ligjore në lidhje me zgjedhjet që do të mbahen më 11 maj.

Reagimi i kreut të KQZ-së vjen pasi në shumicën e bashkive nuk ka nisur ende procesi i njoftimit të zgjedhësve ndërsa afati përfundimtar është 6 mars 2025.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Celibashi parashtron ankesa që janë bërë nga monitorimi i KQZ-së,  teksa thotë ka vështirësi në aksesimin e zgjedhësve me aftësi të kufizuara, si dhe ende nuk ka informacion për caktimin e QV-ve dhe njoftimi i zgjedhësve ende nuk është raportuar.

Duke marrë në konsideratë detyrimet që burojnë nga Kodi Zgjedhor, lidhur me publikimin e listave të zgjedhësve, njoftimin me shkrim të zgjedhësve dhe raportimin për vendndodhjen e qendrave të votimit (QV), është e nevojshme të merren masa të menjëhershme nga ana e bashkive për respektimin e afateve dhe kërkesave ligjore.Nga monitorimi i bërë nga KQZ: Janë konstatuar vonesa në afishimin e listave të zgjedhësve në disa bashki;  Ka vështirësi në aksesimin e zgjedhësve me aftësi të kufizuara; Informacioni për caktimin e QV-ve dhe njoftimi i zgjedhësve ende nuk është raportuar.

Procesi i njoftimit të zgjedhësve nuk ka filluar në shumicën e bashkive për shkak të mungesës së fondeve dhe modelit të njoftimit, ndërsa afati për përfundimin e tij është 6 mars 2025. Për të adresuar problematikat e sipërcituara, KQZ i kërkon bashkive: Të përfundojnë raportimin e caktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit brenda afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Gjithashtu, KQZ i kërkon Ministrisë së Brendshme lehtësimin e procesi të njoftimit të zgjedhësve për të siguruar që ky proces të realizohet brenda afateve ligjore”, theksohet në mesazhin e KQZ-së.

Kujtojmë se për herë të parë, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të mund të votojnë në zgjedhjet e 11 majit. Deri më tani, numri i aplikimeve ka shkuar në mbi 176 mijë. KQZ vijon më procedurat e përpunimit dhe deri tani ka miratuar mbi 113 mije kërkesa të cilat janë hequr nga lista e zgjedhësve këtu në Shqipëri, dhe kanë  kaluar në listën e zgjedhësve nga jashtë. Rreth  62,900 mijë qytetarëve ju është refuzuar kërkesa  për shkak se emigrantët po vazhdojnë të gabojnë në aplikime, duke mos ngarkuar saktë një dokument që përmban adresën konkrete  të banimit të tyre jashtë vendit.

/rtsh.al/