Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla është përplasur me ish-kryeministrin Berisha në sallën e Kuvendit duke i kërkuar këtij të fundit që të presë drejtësinë të thotë fjalën e saj në rastin e arrestimit të Erion Veliajt.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla theksoi se për opozitën ka drejtësi kur goditen kundërshtarët dhe SPAK është i kapur kur godet në radhët e opozitës.
Sipas Ballës, Berisha ka lëshuar një lumë shpifjesh në Parlament për të cilat i kërkoi që t’i dërgojë në SPAK si kallëzime kundrejt kryeministrit Edi Rama.
“Për ju nuk ka ligje, nuk ka rregulla, për ju drejtësia funksionon kur vepron ndaj kundërshtarit, por drejtësia është e kapur kur drejtësia vepron ndaj jush sepse keni parë këtë krah të sallës që të jesh shprehur apo të ketë bërë komente mbi veprimet e drejtësisë.
Asnjëherë! Kemi bërë komente kur drejtësia ka dhënë verdiktin përfundimtar por asnjëherë komente kur drejtësia është duke hetuar dhe kur prevalon prezumimi i pafajësisë.
Këtu ka gënjeshtarë patologjikë dhe përfitojnë nga imuniteti që të jep foltorja këtu, një imunitet kushtetues që deputeti nuk mban përgjegjësi për ato që thotë, por mos harroni ligjvënësi ka qenë shumë parashikues, dhe ngriti gënjeshtra pafund ndaj kryeministrit, familjes së tij.
Shko në SPAK bëj kallëzim, unë ndaj teje për të gjitha gjërat që kam thënë ndaj teje të kam kallëzuar. Ti të ngre nervat edhe kur sheh. Po shkoj bëj kallëzim shko bëj kallëzim po pate këllqe”, është shprehur Balla në Kuvend.
/rtsh.al/