RTSH 24 Live

Kulturë

Viola Gjyzeli me këngën “Bota ime” shpallet fituese e “Junior Fest 2023”

22/09/2023

Viola Gjyzeli me këngën “Bota ime” shpallet fituese e “Junior Fest 2023”

Ka ulur siparin “Junior Fest 2023”, një spektaktël i transmetuar live në RTSH 1 HD.

Në fund të kësaj ngjarjeje muzikore me zëra të rinj nga më të bukurit, si dhe me ngjyra mahnitëse, juria shpalli fituese Viola Gjyzelin me këngën “Bota ime”. Ajo do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian për të rinjtë që organizohet në Francë.

"Jam shumë e lumtur që fitova Junior Fest dhe shpresoj ta përfaqësoj sa më mirë Shqipërinë," u shpreh Viola pas eventit.

“Junior Fest 2023” u zhvillua tek Piramida e Tiranës, ku spektatorë, familjarë, por edhe qytetarë e vizitorë në kryeqytet patën mundësinë që t'i dëgjonin dhe shihnin nga afër zërat konkurrues të të rinjve, të cilët zhvilluan një garë të vërtetë muzikore duke mbajtur këdo në ankth deri në fund se cili do të ishte fituesi.

Juria e vlerësoi Viola Gjyzelin si një nga zërat më premtues në skenat muzikore shqiptare. Kënga e saj "Bota ime", ishte me muzikë nga Enis Mullaj dhe e shkruar nga Erion Rushiti.

Çmimi "Radio Tirana 2" shkoi për Nikol Çabelin me këngën "Vetëm unë".

Performancave elektrizuese iu shtua në skenë edhe ajo e të ftuarit special, Sardi Strugajt.

Për shumë të rinj të tjerë pjesëmarrës në garën “Junior Fest 2023”, kjo ishte hapja e një kapitulli të ri në rrugëtimin e tyre në botën e artit, e konkretisht në fushën e muzikës.

/rtsh.al/