Mijëra studentë në Serbi e përshkallëzuan këtë të hënë (27 janar) protestën e tyre me bllokimin e një prej arterieve kryesore rrugore në Beograd, duke vazhduar presionin mbi qeverinë për shembjen fatale të strehës së stacionit të trenit në muajin nëntor.
Bllokada, e cila është vendosur të zgjasë 24 orë, vjen vetëm pak ditë pasi organizatorët bënë thirrje për një grevë të përgjithshme, që çoi të premten në ndërprerjen e punës nga avokatët dhe bizneset e vogla së bashku me mbylljen e shkollave anembanë Serbisë.
Ka pasur pothuajse çdo ditë bllokada rrugore dhe protesta në të gjithë vendin, që kur gjetën vdekjen 15 persona në stacionin e Novi-Sadit më 1 nëntor, pasi ishte rinovuar pak kohë më parë.
Shumë qytetarë në Serbi kanë fajësuar korrupsionin dhe mbikëqyrjen e dobët të ndërtimit për tragjedinë. Pas grevës ditën e premte, protestat vazhduan gjatë fundjavës me tubimet e mbajtura në gati 20 qytete të shtunën, pasuar nga një thirrje të dielën në mbrëmje për serbët që të bëjnë zhurmë nga dritaret e tyre të hapura në mbështetje të studentëve.
Me rritjen e presionit ndaj qeverisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç u bëri thirrje të shtunën zyrtarëve të botojnë të gjitha dokumentet lidhur me rrëzimin fatal të strehës së stacionit, një kërkesë kyçe nga organizatorët studentë.
Më tepër se një duzinë persona janë akuzuar në lidhje me aksidentin, duke përfshirë ish ministrin e transportit Goran Vesiç, i cili dha dorëheqjen ditë pasi ndodhi. Qeveria ka publikuar disa dokumente lidhur me tragjedinë, por ekspertët e Fakultetit të Inxhinierisë Civile në Beograd thonë se ato janë të paplotësuara.
Vuçiç u zotua gjithashtu të rritë praninë e policisë në protestat e ardhshme pas disa sulmeve ndaj protestuesve, duke përfshirë përplasje të shumta makinash.
Presidenti dhe përkrahësit e tij akuzojnë rregullisht demonstruesit se janë mbështetur nga fuqitë e huaja.
Së bashku me lëshimin e dokumenteve, studentët po u bëjnë thirrje autoriteteve të heqin akuzat kundër protestuesve të arrestuar në protesta, dhënien fund të sulmeve ndaj demonstruesve dhe një rritje të fondeve qeveritare për sektorin arsimor.
/rtsh.al/