RTSH 24 Live

Serbi

Protestat masive të studentëve në Serbi, kryeministri Millosh Vuçeviç jep dorëheqjen 

28/01/2025

Protestat masive të studentëve në Serbi, kryeministri Millosh Vuçeviç jep dorëheqjen 

Kryeministri serb, Millosh Vuçeviç ka dhënë dorëheqjen nga ky post. Në një konferencë për mediat, ku njoftoi dorëheqjen, ai tha se vendimin ja ka komunikuar edhe Presidentit Aleksandër Vuçiç.

"Politika që përfaqësoj, partia që drejtoj, e cila ka fituar të gjitha zgjedhjet, duhet të tregojë nivelin më të lartë të përgjegjësisë. Fola me kryetarin e komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriç edhe ai do të japë dorëheqjen. Le të jetë kjo një mënyrë për qetësimin e tensioneve dhe për t’u gjetur rruga për dialog", tha Vueviç. 

Vuçeviç bëi me dije se  deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri ai do të jetë me mandat teknik ashtu si e gjithë qeveria e tij. Ndërkohë, studentët liruan autostradën, të cilën e bllokuan të hënën në shenjë proteste.

Dorëheqja e Vuçeviç vjen pas protestave masive që kanë përfshirë Serbinë që prej 2 muajsh. Mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë janë ngritur në protesta, duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku më 1 nëntor të vitit të kaluar, shembja e strehës së një stacioni hekurudhor i mori jetën 15 personave.

/rtsh.al/