RTSH 24 Live

Aktualitet

Vengu: Rivitalizim i bazës për qëllime të dyfishta civile dhe ushtarake

11/09/2024

Vengu: Rivitalizim i bazës për qëllime të dyfishta civile dhe ushtarake

Ministria e Mbrojtjes ka vendosur në listën e prioriteteve të saj rivitalizimin e bazës së Porto Palermos për qëllime të dyfishta, civile dhe ushtarake.

Kështu ka deklaruar ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ka publikuar pamje nga Porto Palermo, ka shkruar se “pamje fantastike të Porto Palermos, një kombinim i rrallë i natyrës mahnitëse me një prej veprave më të rëndësishme ushtarake në të shkuarën”

“Në listën e prioriteteve të Ministrisë së Mbrojtjes është dhe rivitalizimi i bazës për qëllime të dyfishta, civile dhe ushtarake. Duke mirëadministruar objektet e këtij kompleksi ushtarak dhe civil, duke përmirësuar kushtet dhe akesesin për publikun në tërësinë e Gjirit të Panoramës, synojmë të gjenerojmë sa më shumë të ardhura publike që do të jenë në funksion të mirëmbajtjes së këtij aseti të vyer”, theksoi Vengu.

Projekti synon miradministrimin e zonës, e cila ka nisur të jetë një destinacion turistik i privilegjuar, duke respektuar normat mjedisore dhe duke ofruar kushte sa më të larta sigurie lundrimore.

Porta e tunelit të fortifikuar të Porto Palermos u hapet për herë të parë pas 32 vjetësh më 11 gusht të këtij viti.

Ndërtimi i këtij tuneli nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988. Ai shërbente për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, duke shërbyer njëkohësisht si një bazë e fuqishme dhe e mbrojtur.

/rtsh.al/