RTSH 24 Live

Aktualitet

Skandali me shitjen e diplomave false, Ministria Arsimit: Kolegji Universitar WISDOM kreu shkelje, do mbyllet

17/09/2024

Skandali me shitjen e diplomave false, Ministria Arsimit: Kolegji Universitar WISDOM kreu shkelje, do mbyllet

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka deklaruar se Kolegji Universitar jo publik WISDOM ka kryer shkelje të rënda gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare dhe për këtë po kryhen të gjitha procedurat për mbylljen e saj. Ministria e Arsimit bëri të ditur se ka kryer kontrolle që nga 2022 deri në korrik të 2024, ku u konstatuan shkelje të shumta nga ana e Kolegjit Universitar WISDOM.

“Pas procedurave të ndjekura në kuadër të këtij procesi, dhe verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së kontrollit në këtë institucion, në përfundim të tij, grupi i punës, në korrik të këtij viti, ka përfunduar raportin final të kontrollit, duke konstatuar shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar ËISDOM për periudhën e ushtrimit të kontrollit, referuar dispozitave të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar WISDOM”, deklaron Ministria e Arsimit.

Pas shkeljeve të kryera dhe nisjes së procedurave për mbylljen e WISDOM, Ministria e Arsimit tha se për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka certifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar WISDOM.

Verifikimet nisën pas skandalit të zbuluar nga hetimet e prokurorisë italiane ku ky kolegj shiste diploma dhe certifikata false. Për këtë ngjarje autoritete italiane kanë arrestuar 9 persona mes tyre edhe pronarin e Kolegjit Universitar Wisdom me qendër të Tiranë dhe Savino Cianci dhe administratori Leonardo Catalano.

Nga hetimet u zbulua se një diplomë false shitej për 8 mijë euro, ndërsa hetuesin italiane thonë se ata kishin korruptuar një zyrtar shqiptar për akreditimin e institucioni arsimor jopublik.

/rtsh.al/