RTSH 24 Live

Politikë

Venecia për Xhaçkën, Spiropali: Tregoi se qëndrimi i mazhorancës s'ishte politik. Bardhi: Po mbron shkeljen e Kushtetutës

10/12/2024

Venecia për Xhaçkën, Spiropali: Tregoi se qëndrimi i mazhorancës s'ishte politik. Bardhi: Po mbron shkeljen e Kushtetutës

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me rastin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Spiropali shprehet se Komisioni i Venecias tregoi se qëndrimi i mazhorancës nuk është as politik dhe as partiak, por qëndrim kushtetues.

Sipas saj, opinioni i Komisionit të Venecias iu dha përgjigje “të gjitha akuzave dhe shpifjeve që u hodhën ndaj qëndrimit të mazhorancës ”.

“Besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshem të Kuvendit! Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë!

Sot morën përgjigje edhe të gjitha akuzat, shpifjet dhe propaganda me të pavërteta kundër këtij qëndrimi, por si Kryetare Kuvendi ndjehem e lehtësuar dhe për këtë falenderoj Komisionin e Venecias që e shqyrtoi me shpejtësi dhe seriozitet maksimal kërkesën time. Kam bindjen se ky opinion i drejtë do t’u shërbejë të gjitha palëve dhe institucioneve për reflektim në zgjidhjen drejt të çështjeve në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit në të ardhmen”, shkruan Spiropali.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ironizoi duke thënë se “Spiropali duhet ta lexojë edhe një herë opinionin e Venecias”.

Sipas Bardhit, kryetarja e Kuvendit po vijon mbrojtjen e paprecedent ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën.

“Kryetarja e Kuvendit duhet ta rilexojë edhe njëherë opinionin e Komisionit të Venecias, ta kuptojë dhe ta zbatojë. Dezinformimi i saj që vazhdon edhe pasi opinioni është publik tregon se ka një tentativë për të vijuar me mbrojtjen e paprecedent ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën për përfitime personale, tërësisht në të kundër të asaj që Komisioni i Venecias këshillon. Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nga sot ka vetëm një detyrim: Të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, siç këshillon në opinionin e tij edhe Komisioni i Venecias. Çdo deformim apo devijim nga thelbi i opinionit dhe përhumbja nga detaje pa thelb nuk ndihmojnë në forcimin e demokracisë dhe as të shtetit ligjor”, shkruan Bardhi.

Komisioni i Venecias tha në raport se vendimet e Gjykatës Kushtetueses janë të zbatueshme, por nuk mund të diktojë votën e deputetëve. Sipas raportit Parlamenti ka kompetencën të votojë vetëm mbi çështjet që bien brenda kompetencës së tij dhe nuk mund të vendosë për mundësinë e dërgimit të çështjes përsëri në Gjykatën Kushtetuese.

/rtsh.al/