RTSH 24 Live

Aktualitet

Vendimi- KPA shkarkon nga detyra gjyqtarin, Besnik Hoxha

25/07/2024

Vendimi- KPA shkarkon nga detyra gjyqtarin, Besnik Hoxha

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi të enjten të ndryshojë si të pabazuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Tiranës, Besnik Hoxha dhe e largoi këtë të fundit nga sistemi i drejtësisë.

Vendimi u mor nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Albana Shtylla, me relator Sokol Çomon dhe anëtare Ina Rama, Mimoza Tasi dhe Natasha Mulaj.

Sipas njoftimit për mediat, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 39/2023, datë 04.09.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 661, datë 18.05.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besnik Hoxha.

"Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 661, datë 18.05.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Besnik Hoxha. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, më datë 25.07.2024, në Tiranë”, thuhet në njoftimin për mediet.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi me shumicë votash që të lërë në detyrë gjyqtarin Besnik Hoxha më 18 maj të vitit 2023, por ishte trupa e Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit apeloi vendimin, çka solli dhe shkarkimin e gjyqtarit Hoxha.

/rtsh.al/