RTSH 24 Live

Botë

Vendimi i Gjykatës së Lartë mbi Tramp, Bajden: Precedent i rrezikshëm, minon sundimin e ligjit

02/07/2024

Vendimi i Gjykatës së Lartë mbi Tramp, Bajden: Precedent i rrezikshëm, minon sundimin e ligjit

Presidenti amerikan Xho Bajden (Joe Biden) ka reaguar ashpër mbi vendimin e gjykatës supreme mbi paraardhësin e tij Donald Tramp (Trump), e cila i dha të drejtë ish-presidentit për të kërkuar imunitet nga ndjekja penale për disa nga veprimet që ai ndërmori në ditët e fundit të presidencës së tij.

Bajden e konsideroi veprimin si precedent të rrezikshëm që përmbys parimin bazë të barazisë para ligjit.

Në një fjalim 5-minutësh nga Shtëpia e Bardhë, Biden tha se vendimi 6-3 "minon sundimin e ligjit" dhe i bën "një dëm të tmerrshëm popullit të këtij kombi", pasi sipas presidentit, do të thotë se Tramp ka shumë më pak gjasa të mbahet ligjërisht përgjegjës për nxitjen e turmës për të nisur një sulm vdekjeprurës në Kapitolin e SHBA më 6 janar 2021.

Ky komb u themelua mbi parimin se nuk ka mbretër në Amerikë. Secili prej nesh është i barabartë para ligjit. Askush, askush nuk është mbi ligjin, madje as presidenti i Shteteve të Bashkuara. Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë për imunitetin presidencial që ndryshoi rrënjësisht për të gjitha qëllimet praktike. Vendimi i sotëm pothuajse me siguri do të thotë se praktikisht nuk ka kufij për atë që mund të bëjë presidenti.

Ky është një parim thelbësisht i ri. Është një precedent i rrezikshëm, sepse pushteti i zyrës nuk do të kufizohet më nga ligji, madje duke përfshirë edhe gjykatën supreme në Shtetet e Bashkuara, kufijtë e vetëm do të vendosen nga vetë presidenti. Tani populli amerikan duhet të bëjë atë që gjykata duhet të kishte qenë e gatshme të bënte dhe nuk do ta bëjë. Populli amerikan duhet të japë një gjykim për sjelljen e Donald Tramp.

Populli amerikan duhet të vendosë nëse duan t'ia besojnë... edhe një herë presidencën Donald Tramp-it, tani duke e ditur se ai do të jetë më i guximshëm për të bërë çfarë të dojë, sa herë që dëshiron ta bëjë.

Unë e di se do të respektoj kufijtë e kompetencave presidenciale që kam pasur për tre vjet e gjysmë, por çdo president, përfshirë Donald Tramp, tani do të jetë i lirë të injorojë ligjin", u shpreh Bajden.

Vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA-së hedh poshtë një vendim të dhënë më parë nga një gjykatë federale e apelit, sipas së cilës Tramp nuk gëzonte imunitet për krimet e supozuara që ai kreu gjatë presidencës së tij për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Vendimi i Gjykatës së Lartë ka të ngjarë të shtyjë më tej gjyqin për akuzat për  përmbysjen e zgjedhjeve federale në pritje kundër Tramp. Kjo çështje do të kthehet në një gjykatë më të ulët e cila më pas do të vendosë se si të zbatohet vendimi i Gjykatës së Lartë.

Ish-presidenti Donald Tramp përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë për imunitetin presidencial, duke e quajtur atë një fitore të madhe për Kushtetutën dhe demokracinë.

/rtsh.al/