RTSH 24 Live

Politikë

KQZ shqyrton sot mandatin e Fredi Belerit, projektvendimi: S’mund të ushtrojë detyrën

04/07/2024

KQZ shqyrton sot mandatin e Fredi Belerit, projektvendimi: S’mund të ushtrojë detyrën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet këtë të enjte për të shqyrtuar vlefshmërinë e mandatit të Fredi Belerit, i cili u zgjodh më 14 maj të 2023-shit si kryetar i bashkisë së Himarës.

Dy ditë para zgjedhjes si kryetar, Beleri u arrestua pasi u akuzua për shit-blerje votash dhe në krye të Bashkisë së Himarës u vendos Jorgo Goro, i cili pas 10 muajsh në krye të institucionit u arrestua pasi u akuzua se ka ndërhyrë për të tjetërsuar prona në favor të të tretëve në mënyrë që të përfitonte më pas statusin e investitorit strategjik. E pas arrestimit të Belerit e Goros, kryetar i komanduar i Bashkisë së Himarës u zgjodh Arqile Bollani.

Por në projektvendimin e publikuar në faqen zyrtare të KQZ thuhet se, pas shqyrtimit të kërkesave për informacion nga Gjykata së Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (e cila vendosi të linte në fuqi vendimin nr. 14, datë 05.03.2024 e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sipas së cilës është vendosur: “Deklarimi fajtor i të pandehurve Pandeli Kokaveshi dhe Dhionisios (Alfred) Beleri, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim)”, kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës nuk mund ta ushtrojë detyrën.

Në nenin 2 pika 1 shkronja “b” e ligjit 138/2015 “ Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, përcaktohet se vepra penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K.Penal hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie, etj.

Në nenin 10, pika 1, shkronja “ç”, të ligjit nr. 138/2015, përcaktohet se KQZ brenda kompetencave të veta, “…shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë nen, si dhe shpall mandatin, në përputhje me Kodin Zgjedhor…”.

Në këto rrethana vlerësohet se z. Beleri i zgjedhur Kryetar i Bashkisë Himarë nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak të ndalimit që vjen nga ligji 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, shkruhet në projekt vendimin e KQZ.

/rtsh.al/