RTSH 24 Live

Sociale

Vendimet e qeverisë/ 70 oficerë sigurie më shumë në shkolla për sigurinë e nxënësve! Shpërblim kush dhuron gjak

29/07/2022

Vendimet e qeverisë/ 70 oficerë sigurie më shumë në shkolla për sigurinë e nxënësve! Shpërblim kush dhuron gjak

Me vendim qeverie është vendosur të rritet numri i oficerëve të sigurisë në shkolla për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e nxënësve si dhe të shpërblehen personat që dhurojnë gjak.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se do të shtohen edhe 70 oficerë duke e çuar numrin e tyre në 220 për të garantuar sigurinë jo vetëm në shkollat e mesme por edhe 9-vjeçaret.

“Sot kemi vendosur të rrisim edhe numrat për oficerët e sigurisë. Aktualisht në shkollat tona ne kemi 150 oficerë sigurie, në bashkëpunim kjo me Ministrinë e Brendshme, ndërkohë që sot vendosëm të kemi edhe 70 oficerë sigurie më shumë. Qëllimi i kësaj nisme është që të ofrojmë më shumë siguri, më shumë mbrojtje për nxënësit tanë jo vetëm brenda territoreve të shkollës, por edhe në zonat përreth shkollave. Risia e këtij vendimi është që oficerët e sigurisë nuk do të jenë më vetëm në shkollat e mesme që kanë qenë gjatë këtyre tre viteve, që nga viti 2018 kur ka hyrë për herë të parë kjo strukturë në institucionet tona, por tashmë oficer sigurie do të kenë edhe shkollat e arsimit bazë, pra shkollat 9-vjeçare”, tha Kushi.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu foli për nevojën emergjente që vendi ka për të dhuruar gjak për ata që vuajnë nga talasemia. Manastirliu tha se punonjësit e administratës publike që dhurojnë gjak do ta marrë dy ditë pushim të paguar nga shteti. Nëse ata dhurojnë 3 herë ne vit apo më shumë gjak do kenë mundësinë e një javë pushime në shtëpitë e pushimit që administrohen nga shteti.

/rtsh.al/