Konsumuesit e lëndëve narkotike, në mungesë të tyre mund të zhvillojnë dhe sjellje agresive në familje apo komunitet. Për të mbajtur nën kontroll gjendjen e tyre, dhe për të shmangur raste të tilla, sikurse mund të jetë ushtrimi i dhunës në rrethin e tyre të ngushtë, është tepër e rëndësishme që të zhvillojnë konsulta me psikologun dhe njëherësh të marrin edhe metadonin, që përdoret për të trajtuar varësinë nga opioidet, veçanërisht heroina.
Psikologja e Njësisë së trajtimit mbajtës me metadon në Korçë Ilirjana Nasa bën me dije se kohët e fundit, ka një sensibilizim edhe nga ana e familjarëve që kanë persona që konsumojnë lëndë narkotike, që t’i drejtojnë drejt konsultave me psikologun, për t’iu larguar kësaj varësie. Në Njësinë e trajtimit mbajtës metadon në Korçë aktualisht trajtohen 76 persona të grup moshës nga 25 deri në 46 vjeç.
/RTSH/