RTSH 24 Live

Kulturë

Vallet e veçanta të Devollit/ Koreografi Sokol Çeka mban gjallë traditën tek brezi i ri

14/09/2023

Vallet e veçanta të Devollit/ Koreografi Sokol Çeka mban gjallë traditën tek brezi i ri

Si gjithmonë Sokolin e gjejmë duke punuar. Pasioni dhe dashuria që ai ka për traditën e zonës së Devollit, e ka bërë që të vijojë t’ua lerë si trashëgimi edhe brezave të rinj. Dikur një valltar i dalluar, sot koreograf Sokol Çeka drejton grupin e Qendrës Kulturore në Devoll ku u mëson të rinjve disa prej valleve më karakteristike të zonës dhe më kryesoren, atë me të cilën identifikohet jo vetëm Devolli por edhe vendi ynë në kompeticione e festivale të ndryshme, që është vallja Devolliçe. 

Është vërtetë diçka e bukur të punosh me valltarë dhe të sjellësh atë folklor të bukur dhe të pasur në breza”, tha koreografi  Sokol Çeka.

Pothuajse në çdo fshat të Devollit është kënduar e kërcyer ndërsa kanë qenë të shumtë ata që kanë lënë gjurmë në traditën devollite

“Në çdo fshat ka patur nga një udhëheqës të valles. Në Poloskë ka qenë Zalo Poloska. Në Gracë ka qenë Ahmet Graca i cili më tutje pastaj e trashëgoi dhe në Edip Hoxha që për mua ka qenë ndër valltarët më të mirë”, shtoi Çeka.

Enxhi dhe Devi janë ata që udhëheqin vallet tek grupi i tyre. Edhe pse vetëm 13 vjeç, ata kërcejnë si dy profesionistë të vërtetë.

 “Dëshirën e kam pasur që e vogël sepse e kam pasur edhe talent. Më pas jam bërë pjesë e grupit të valles së Devollit dhe vazhdoj ende të merrem me vallen”, tha valltarja Enxhi Yzeri.

 “Mua vallen ma ka mësuar profesor Sokoli. Dëshira ime ka lindur nga shokët”, u shpreh valltari Devi Dervishi.

Tradita e vjetër e valleve e përcjellë kaq bukur dhe pastër, pa asnjë formë tjetërsimi, e shndërron atë në pasaportën e krenarisë së Devolli.

Gazetare: G.Sali

/RTSH/