Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca dhe homologu italian Francesco Lollobrigida, gjatë takimit të mërkurën në Tiranë shprehën angazhimin e përbashkët për ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Italisë, për të krijuar më shumë sinergji mes dy vendeve në zhvillimin e bujqësisë.
Ministrja Krifca e cilësoi një moment historik vizitën e ministrit Lollobrigida, jo vetëm me firmosjen e një Memorandumi Mirëkuptimi midis dy vendeve, që çel një dritare të re dhe një rrugëtim të ri, tejet konkret për marrëdhënien konkrete të bashkëpunimit, por edhe në konkretizimin e bashkëpunimit mes bizneseve të sektorëve bujqësorë të të dy vendeve.
Kontaktet e bashkëpunimit u mundësuan gjatë dy takimeve të posaçme të biznesit Shqipëri-Itali, që u zhvilluan paralelisht në Ministrinë e Bujqësisë, me prodhuesit e vreshtave dhe të verës dhe prodhuesit e ullirit dhe të vajit të ullirit.
Ministrja tha se, kjo vizitë nuk është vetëm një vullnet i mirë i dy qeverive, por dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur shkëmbimet tregtare, eksperiencën e kompanive, rritjen e punësimit si dhe përgatitjen për të ardhmen e bujqësisë në vendet tona.
Ajo solli në vëmendje se Italia në 30 vitet e fundit ka qenë një prej vitrinave më të rëndësishme në transferimin teknologjik dhe të dijes në pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë së vendit dhe në mënyrë të veçantë në bujqësi dhe agro-përpunim .
Ministrja theksoi se, arritjet janë falë përpjekjeve dhe një pune shumë të madhe të të gjithë aktorëve të sektorit, të cilët kanë mundur që të rindërtojnë zinxhirin e vlerave të produkteve bujqësore dhe atyre blegtorale nga ferma në tavolinën e konsumatorit.
Biznesi bujqësor shqiptar sot ka mundësinë e bashkëpunimeve të reja me shumë interes me rreth 30 kompani italiane, shoqata dhe dhoma biznesi, ku disa prej tyre përfaqësojnë një rrjet prej më shumë se 3 milionë fermerësh dhe agropërpunuesish, që bashkëveprojnë me njëri-tjetrin në ndërtimin e zinxhirëve të prodhimit në sektorë si blegtoria, prodhimi bujqësor, prodhimi i ullirit dhe vajit të ullirit, verës, peshkimi e të tjerë.
/ rtsh.al /