RTSH 24 Live

Botë

Uragani “Helene” ne SHBA, mbi 100 persona kanë humbur jetën në 6 shtete federale

2 orë para

Uragani “Helene” ne SHBA, mbi 100 persona kanë humbur jetën në 6 shtete federale

Është rritur sërish numri i viktimave nga uragani “Helen” që  ka goditur Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut, Xhorxhian, Floridën, Tenesin dhe Virxhinian. Mbi 100 persona kanë humbur jetën në mbarë vendin që kur uragani mbërriti në Florida të enjten e kaluar, ndërsa  zyrtarët thane se kjo shifër pritet të rritet.

Të paktën 30 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë të zhdukur vetëm në një qark në Karolinën e Veriut, pasi stuhia e fuqishme përfshiu të gjithë shtetin dhe shkaktoi përmbytje katastrofike. Rrjeti rrugor është dëmtuar në shumë zona dhe qindra njerëz ende nuk kanë mundur të kontaktojnë familjarët e tyre, të cilët i kanë regjistruar si të zhdukur.

Kryqi i Kuq Amerikan ka hapur më shumë se 140 strehimore për të evakuurit dhe më shumë se 2 mijë banorë po i përdorin aktualisht. Dëmet nga stuhia e fuqishme konsiderohen se mund të arrijnë nga 15 deri në mbi 100 miliardë dollarë, megjithatë autoritetet thanë se vlera reale e tyre do të dihet pasi autoritetet të pastrojnë zonat e prekura dhe të vlerësojnë dëmet.

Rreth 2.7 milionë konsumatorë në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara kanë mbetur pa energji elektrike. Presidenti amerikan, Joe Biden, planifikon që të vizitojë zonat e prekura gjatë kësaj jave, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

/RTSH/