RTSH 24 Live

Botë

Kryediplomatët e BE-së takim për Libanin, diskutojnë përgjigjen ndaj përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme

2 orë para

Kryediplomatët e BE-së takim për Libanin, diskutojnë përgjigjen ndaj përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme

Diplomatët dhe zyrtarët e BE-së, thirrjet e të cilëve për një armëpushim dhe kundër një përshkallëzimi në Liban, nuk janë marrë parasysh nga Izraeli, mbajnë bisedime urgjente këtë të hënën për situatën në Liban, - thuhet në një deklaratë të Brukselit. 

Një zëdhënës i BE-së tha se shefi i politikës së jashtme të bllokut Josep Borrell kishte thirrur një takim virtual për të diskutuar përgjigjen e BE-së ndaj përshkallëzimit të fundit në Liban. Fuqitë ndërkombëtare po përpiqen të parandalojnë që konflikti mes Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah të zgjerohet në rajon. Bashkimi Evropian me 27 vende deri më tani ka luftuar për të folur me një zë, për të frenuar dhunën që ka tronditur rajonin që nga viti i kaluar. Izraeli kreu të hënën sulmin e tij të parë ajror në zemër të kryeqytetit të Libanit, Bejrut që nga shpërthimi i luftës në Gaza më 7 tetor 2023, duke vrarë katër persona.

Këto ishin sulmet e fundit të një fushatë ajrore të  kryer nga Izraeli pas vrasjes së shefit të Hezbollahut, Nasrallah, të premten, që çoi në rritjen e tensioneve. Sulmet izraelite kanë vrarë rreth një mijë persona në Liban që nga e hëna e kaluar, thanë zyrtarët libanezë.

Rreth 100 mijë të tjerë kanë ikur nga Libani në Siri për shkak të sulmeve ajrore izraelite, tha të hënën Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, ndërsa kryeministri i Libanit u shpreh se deri në një milion njerëz pritet të zhvendosen për shkak të konfliktit të armatosur. Të dielën ushtria izraelite kreu sulme ajrore në shkallë të gjerë dhe zgjeroi konfliktin me sulme ndaj militantëve Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen.

/RTSH/