Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka është përgjigjur Unionit të Transportit Publik, që lajmëroi se nga dita e sotme (31 korrik) do të reduktohet numri i autobusëve urbanë në kryeqytet.
Veliaj paralajmëroi se qëndrimi ndaj cilësdo linjë që ndërmerr një vendim të tillë do të jetë i ashpër, deri në heqjen e licencës.
“Sot kemi pasur një ultimatum të padrejtë dhe të pandershëm nga të gjitha shoqatat e transporti publik të Tiranës. Kur dikush të vendos një ultimatum në temperaturë 40 gradë, sigurisht që mund t’i përgjigjesh vetëm në të njëjtën mënyrë. Premtimi im është: Kush nuk del sot në punë do të humbasë automatikisht licencën. Më rezulton se deri në këtë orë kanë dalë të gjithë në punë, por ftesa ime është që, në 2023-shin, kjo nuk është mënyra për të ecur përpara. Nuk ecet përpara me ultimatume. Jo të paktën me këtë kryetar bashkie dhe me këtë Bashki të Tiranës. Nuk bëhet kjo në pabesi, në një fundjavë mes korrikut dhe gushtit, nuk bëhet në një qytet që, në fakt, është i vetmi që subvencionon transportin publik, që paguan edhe për studentët që udhëtojnë falas, që i ka kompensuar edhe naftën edhe karburantin operatorëve,” u shpreh Veliaj.
Ai tha gjithashtu se së shpejti do të vihet në funksion linja publike e transportit kryeqytetas.
“Ne mund të kompensojmë ato që realisht janë në faturat e shtetit dhe në raportimet që bëhen pranë Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve financiare të Republikës së Shqipërisë. Çdo faturë tjetër, që është imagjinare, ose që ndodh në të zezë, për ne nuk ka si të justifikohet. Kështu që, kërkesa për operatorët është formalizimi! Sigurisht, mësimin që nxora këtë fundjavë do ta shfrytëzoj për të ecur edhe më shpejt me një linjë publike dhe me ndërtimin e një autoriteti të transportit publik. Megjithatë, besoj se ishte e pandershme që Bashkia e Tiranës të shantazhohej në një mënyrë të tillë, ndërkohë që kemi 8 vite që e provojmë se askush nuk mund ta shantazhojë Bashkinë e Tiranës. Ndaj, më vjen mirë që i thirrën mendjes edhe sot dolën në punë. Megjithatë, nëse gjatë orëve të ditës dikush do të cedojë në shërbim dhe do t’i rikthehet atij ultimatumi banal që patëm në fundjavë për të ndërprerë në mënyrë të paparalajmëruar transportin publik në Tiranë, sigurisht që nuk do të ngurroj”, deklaroi më tej Veliaj.
Unioni i Transportit Publik njofton se duke nisur nga sot linjat e transportit publik në Tiranë do të funksionojnë me mjete te reduktuara. Sipas tyre, shkak për reduktimin e mjeteve të transportit publik në qarkun e Tiranës janë “sfidat dhe shqetësimet financiare ” më të cilat janë përballur.
Sipas Unionit të Transportit Publik, institucionet duhet të ndërhynë për të shmangur indeksimin e çmimit të biletës, çka do të rëndonte direkt në xhepat e qytetarëve. Veç kësaj një masë e tillë mund të kalohet vetëm me vendim të këshillit bashkiak. Unioni i Transportit Publik u kërkon autoriteteve qendrore e vendore të ulen në dialog, përndryshe shërbimi i transportit do të vijoj të ofrohet i reduktuar.
/rtsh.al/