RTSH 24 Live

Art

Ukraina fituese e edicionit të 15-të të “Aulona Inter Folk Festival”

09/05/2023

Ukraina fituese e edicionit të 15-të të “Aulona Inter Folk Festival”

Për tri ditë me radhë, në datat 6, 7 dhe 8 maj, është mbajtur në qytetin bregdetar të Vlorës edicioni i 15-të i “Aulona Inter Folk Festival”, njofton ATSH.

Si një nga aktivitetet kryesore të agjendës së Bashkisë së Vlorës në kuadër të çeljes së sezonit turistik 2023, ky festival ka bërë bashkë në qytetin bregdetar, grupe dhe ansamble folklorike, nga shumë shtete të Ballkanit dhe Evropës.

E veçanta është pjesëmarrja në festival e Ansamblit Folklorik nga qyteti Lviv i Ukrainës, të cilët përmes muzikës e trashëgimisë së tyre shpirtërore përcollën mesazhe lirie e paqeje.

Nata e tretë e festivalit shënoi koncertin e madh me pjesë të zgjedhura nga të gjitha grupet pjesëmarrëse.

Kupa e edicionit të 15-të shkoi për ansamblet “Dibrova” e “Gorytsvit” të qytetit Lviv (Ukrainë).

Gjatë ditëve të qëndrimit në Vlorë, pjesëmarrësit në festival vizituan edhe Parkun Kombëtar të Llogorasë, si kundër njëra nga ditët iu kushtua njohjes dhe frekuentimit të plazheve të Radhimës, duke e shndërruar këtë festival në një fuqi të vërtetë promovuese për asetet kulturore, historike, turistike e natyrore të Vlorës e rrethinave të saj.

Festivali u organizua nga Qendra Kulturore “Aulona”, Vlorë me mbështetjen kryesore të Bashkisë së Qytetit dhe Ministrisë së Kulturës.

Organizatorët thonë se në të 15 edicionet e tij, në Vlorë kanë marrë pjesë 115 grupe e ansamble me 4100 artistë, nga 28 shtete të Ballkanit, Europës e Azisë.

( Marrë nga ATSH )