RTSH 24 Live

Aktualitet

U prishi martesën e së motrës, dy vëllezërit vrasin në pritë 33-vjeçarin në Shkodër

07/01/2025

U prishi martesën e së motrës, dy vëllezërit vrasin në pritë 33-vjeçarin në Shkodër

Pas një hetimi disaditor, Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen e ndodhur në fshatin Dragoç në Shkodër, ku u ekzekutua me breshëri automatiku 33-vjeçari Ramazan Mataj.

Në pranga përfunduan dy vëllezërit, të cilët organizuan dhe kryen vrasjen e të riut për motive të dobëta. Sipas Drejtuesit të Policisë Shkodër, Fatmir Lleshaj, në pranga ranë Arjon Hasaj, 29 vjeç, si autor i krimit, dhe vëllai i tij, Klisman Hasaj, si bashkëpunëtor në krim.

Sipas hetimeve, Arjon Hasaj ka organizuar dhe kryer vrasjen e Ramazan Matajt, duke përdorur llogari të rreme në rrjetet sociale për të tërhequr viktimën në një pritë në fshatin Dragoç. Dyshohet se Ramazan Mataj kishte ndikuar në prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit, një arsye që ka çuar në kryerjen e krimit.

Klisman Hasaj, vëllai i Arjonit, ka ndihmuar në sigurimin e kushteve për vrasjen dhe fshehjen e armës së krimit, e cila u gjet më vonë pas kontrolleve të realizuara nga grupi hetimor. Pas vrasjes, arma ishte groposur në një zonë të pyllëzuar dhe më pas në oborrin e banesës së dy vëllezërve.

Arrestimi i autorëve u realizua pas një hetimi të detajuar, që përfshinte prova filmike dhe veprime hetimore të përbashkëta. Arjon Hasaj është arrestuar për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”, ndërsa Klisman Hasaj për “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

33-vjeçari Ramazan Mataj u vra në fshatin Dragoç të Postribës në Shkodër, ngjarje që ndodhi më 5 janar. Mataj u gjet i pajetë nga banorët e fshatit brenda një makine, të cilët më pas lajmëruan policinë. 

/rtsh.al/