RTSH 24 Live

Politikë

U përjashtua 60 ditë nga seancat plenare, Bardhi: Rama do na ketë përballë, brenda apo jashtë Kuvendit

4 orë para

U përjashtua 60 ditë nga seancat plenare, Bardhi: Rama do na ketë përballë, brenda apo jashtë Kuvendit

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas përjashtimit me 60 ditë nga seancat plenare, pas kaosit në Kuvend të hënën. Në një postim në X (dikur Twitter), bardhi e konsdieron përjashtimin e tij dhe të 23 deputetëve të tjerë të opozitës si “provë sesa i vogël dhe frikacak është Edi Rama”.

Ai thekson se opozita do ta vijojë aksionin e saj “jashtë apo brenda Kuvendit”.

“Këta të fusin në burg pa ligj e prova, jo më mos të të përjashtojnë nga Kuvendi pa ligj e prova. Përjashtimi i opozitës për muaj nga Kuvendi, provon sesa i vogël e frikacak është Edi Rama! Përballë do na kesh, brenda apo jashtë Kuvendit! Asaj salle krimi i ke vënë zjarrin! Fshihu e shmangu sa të duash, përjashto, burgos e përndjek sa të duash, fatin tënd nuk e ndryshon dot! Atë ta ka përcaktuar shumica dërrmuese e shqiptarëve që përbuzin ngritjen e krimit të organizuar në qeverisje dhe shndërrimin e institucioneve në banda kundër opozitës”, shkruan Bardhi.

Sekretariati i Etikës përjashto me 60 ditë Bardhin, Flamur Nokën dhe Bledion Nallbatrin, 10 ditë Edi Palokën dhe me 40 ditë 20 deputetët e tjerë, konkretisht: Saimir Korreshit, Lefter Geshtenjës, Luan Baçit, Dashnor Sulës, Agron Gjekmarkajt, Dhurata Çupit, Xhelal Mziut, Ina Zhupës, Zheni Gjergjit, Helidon Bushatit, Lindita Metaliajt, Ramadan Likës, Asllan Dogjanit, Qani Xhafës, Flamur Hoxhës, Isuf Çelës, Kastriot Piroliy, Lodovik Hasanit, Kasem Mahmutajt dhe Edmond Spaho.

Partia Socialiste kërkoi masë disiplinore për 24 deputetët e PD-së pas tensioneve të forta në sallën e Parlamentit, ku deputetët e opozitës nxorën jashtë poltronat e tyre, duke u vënë flakën në shkallët e hyrjes së godinës, veprime që erdhën si reagim për burgosjen e deputetit Ervin Salianji, i cili u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë.

/rtsh.al/