RTSH 24 Live

Politikë

U la në burg për blerje votash, Fredi Beleri kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë

14/06/2023

U la në burg për blerje votash, Fredi Beleri kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë

Kreu i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij ‘arrest me burg”, duke kërkuar lirimin në Gjykatën e Lartë, me pretendimin e mbajtjes së padrejtë në qeli.

Ndërkohë që më 16 qershor GJKKO do të shqyrtojë kërkesën për  pavlefshmëri të përgjimeve të organit të akuzës në rastin e blerjes së votave pak ditë para zgjedhjeve të 14 majit.

Më 1 qershor Apeli i GJKKO la në burg Fredi Belerin, duke mos pranuar kërkesën e tij të lehtësim të masës së sigurisë “arrest me burg”.

Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit, pasi u akuzua se u premtoi shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.

Ndërsa bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokaveshin u la nga GJKKO në “detyrim paraqitje”, për shkak të problemeve shëndetësore.

Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.

Në zgjedhjet e 14 majit Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash.

Teksa përballet me drejtësinë, e paqartë mbetet procedura se si Fredi Beleri do të kryejë betimin si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës.

/rtsh.al/