RTSH 24 Live

Rajon

U bashkuan me opozitën, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut shkarkon dy ministra shqiptarë

10/02/2024

U bashkuan me opozitën, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut shkarkon dy ministra shqiptarë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka shkarkuar të premten në mesnatë dy ministra të Qeverisë teknike nga radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH) pasi kishin mbështetur propozimin e kësaj partie që në zgjedhjet e majit t’i bashkoheshin bllokut opozitar shqiptar - Lidhja Evropiane për Ndryshim.

Shkarkimi i ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe i ministrit të Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, ka rezultuar me tensione e polemika të shumta mes partive në pushtet dhe opozitës. Ministri i shkarkuar, Fatmir Mexhiti akuzoi partitë në pushtet se “shkarkimi i tij është iniciuar për interesa politike” dhe se pas kësaj, sipas tij, qëndron partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). 

Por, në arsyetimin e kërkesës për shkarkimin e tyre, kryeministri teknik, Talat Xhaferi ka thënë se “nuk ka vërejtje për punën dhe profesionalizmin e ministrave Mexhiti dhe Aliu, por pas bashkimit të tyre me Arben Taravarin, duhet të largohen, pasi në Qeveri nuk mund të jenë dy subjekte opozitare”. Shkarkimi i ministrave vjen dhjetë ditë pas formimit të Qeverisë teknike, më 28 janar.

Qeveria teknike, që ka mandat 100 ditë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ka në përbërjen e saj edhe opozitën maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja.

/RTSH/