RTSH 24 Live

Ekonomi

Turizmi shqiptar me bilance rekord

12/09/2023

Turizmi shqiptar me bilance rekord

Turizmi shqiptar vazhdon të shënojë një nivel rekord të ardhurash. Kjo jo vetëm për shtetasit e huaj që kanë udhëtuar në Shqipëri, por edhe për shtetasit shqiptarë që kanë udhëtuar jashtë vendit. 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave bëjnë të ditur se në 6 mujorin e parë të vitit 2023, shpenzimet e të huajve që kanë udhëtuar në Shqipëri arritën në total 1.55 miliardë euro. 

Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90. 

Ekspertët thonë se  ato reflektojnë kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik këtë vit. 

Shpenzimet e të huajve për udhëtime janë rritur me 37% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vetëm në tremujorin e dytë, shpenzimet e të huajve arritën në 930 milionë euro, me rritje prej gati 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se në periudhën janar-qershor, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 
3.396.932. Ky numër është rritur me 33,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Por veç të huajve që po vizitojnë Shqipërinë, gjithnjë e më shumë shqiptarë po zgjedhin të udhëtojnë jashtë vendit. 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për gjashtë muajt e parë të vitit shpenzimet e shqiptarëve për udhëtimet jashtë ishin 977 miilionë euro, me një rritje prej 23% në krahasim me janar-qershor 2022.

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë gjashtëmujorit të parë 2023, është 3.024.102, duke u rritur me 20,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndonëse të huajt kanë shtuar shpenzimet në Shqipëri, e njëjta gjë ka ndodhur dhe me shtetasit shqiptarë që udhëtojnë jashtë. 

Megjithatë bilanci është pozitiv në favor të hyrjeve. Sipas Bankës së Shqipërisë, bilanci i udhëtimeve, që mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë ishte 794 milionë euro, që është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Që prej vitit 2015, Shqipëria ka një bilanc pozitiv të udhëtimeve, i cili vjen duke u rritur viti pas viti.

/ rtsh.al /