RTSH 24 Live

Ekonomi

Turizmi në Sarandë, rezervimet online arrijnë deri në 70 përqind 

02/04/2024

Turizmi në Sarandë, rezervimet online arrijnë deri në 70 përqind 

Trokitjet e sezonit turistik 2024 kanë nisur në Sarandë e Ksamil. Pritshmëritë për një prurje të pazakontë turistike, janë të mëdha nga të gjithë. Edhe përgatitjet të tilla janë, sidomos nga ata që mbajnë peshën kryesore: Njësitë akomoduese, restorantet, baret etj. 

Sipas kreut të Shoqatës së Industrisë së Turizmit, Arben Çipa, Operatorët turistikë të Sarandës janë orientuar këtë vit te rezervimet online. Shumica e hoteleve po zgjedhin të shkojnë më pak drejt grupeve të turistëve të organizuar dhe më shumë te platformat e tyre online. Në këtë risi mendohet me ndikim të rëndësishëm promocioni i mediave të mëdha ndërkombëtare. 
 
Referuar informacionit që vjen nga Hoteleria, si në Sarandë edhe në Ksamil, rezulton se rezervimet për sezonin variojnë mes 50-70% nga njësia në njësi dhe deri në verë, këto kapacitete mendohet të jenë ezauruar plotësisht. Përjashtim nga zgjerimi i kësaj mënyre të parablerjes së shtretërve, nuk bëjnë as shtëpitë e dyta. 

Sipas kreut të Shoqatës së Industrisë së Turizmit, Arben Çipa, pritet që prania e turistëve italianë të ketë një rritje të konsiderueshme, sidmos moshat e reja. 

Ndërkaq në zonën turistike po punohet për projekte që duhet të ecin shpejt, pasi duhet të mbyllen para sezonit. Në vlerësimin e Çipës, përgatitjet intensive të sipërmarrjes turistike për ofertë më të mirë, po shërbejnë si presion pozitiv që edhe ndërhyrjet në infrastrukturën urbane ta bëjnë më tërheqëse Sarandën e Ksamilin këtë verë. 
 
Çipa paralajmëron se kompletimi i stafeve të shërbimit, në përgjigje të sezonit të pritshëm intensiv, do të jetë një nga sfidat më të mëdha që duhet përballuar. 
 
Prurja turistike e faktuar gjatë tremujorit të parë të këtij viti, kur u rregjistrua një rritje me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, është një start shumë premtues për këtë vit turistik.

Gazetar Marash Mirashi

/ rtsh.al /