RTSH 24 Live

Aktualitet

Turizëm gjithëvjetor në Shishtavec të Kukësit, spektakël me borën në dimër

4 orë para

Turizëm gjithëvjetor në Shishtavec të Kukësit, spektakël me borën në dimër

I mbuluar nga dëbora dhe shoqëruar me rreze dielli, Shishtaveci dhe e gjithë zona përreth ngjan fantastike.

Lavdrim Shehu, koordinator i organizatës Qendra për Progres Rinor në Kukës, e cilëson gjithëvjetor turizmin në këtë zonë.

"Zona e Shishtavecit, por edhe Novosela dhe fshatrat përreth ofrojnë shërbime gjatë gjithë vitit. Temperaturat janë shumë të mira, ajri i pastër," thotë z. Shehu.

Ardhur nga Tirana, aty ku dëbora është shumë e rrallë, një turisteje i bën përshtypje hapësira e madhe e bardhë me dëborë.

Edhe fakti që nuk ka dyndje turistësh për ta është mundësi për të shijuar zonën me gjithëçfarë ofron.

Ndërkaq për kuksianët është për të ardhur keq që nuk shfrytëzohet kjo mundësi e artë turistike.

"Është 30 minuta nga Kukësi ose më pak se 30 km larg. Duhet të kishte më shumë interes," tregon z. Shehu.

Mungojnë investimet e mirëfillta për argëtim, ndaj më shumë grupet e turistëve bazohen te improvizimi.

"Nuk është e nevojshme të ketë pista skish profesionale si në rezortet e mëdha. Do të ishte shumë mirë t'i kishim, por në kushtet që jemi është shumë prapë e këndshme," shprehet koordinatori i QPR-së.

Shishtaveci është një ndër zonat e pëlqyera për turizëm gjithëvjetor. Në dimër tërheq dëbora, ndërsa në verë ajri i pastër e natyra mbresëlënëse.

Gazetare: Besjana Gërmizi

/rtsh.al/