Shtatë protestues të arrestuar, 21 të tjerë nën hetim dhe 40 deputetë të proceduar në gjendje të lirë. Ky është bilanci i Policisë së Tiranës pas protestës së mbajtur mbrëmjen e së hënës në kryeqytet.
“Në lidhje me tubimet e organizuara ditën e djeshme, nga përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë, në disa akse rrugore dhe pika lidhëse të kryeqytetit, informojmë se Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe komisariatet në varësi të saj kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që kryen paligjshmëri gjatë tubimeve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu, policia bën të ditur se nga hetimet rezulton se gjatë tubimeve të organizuara ditën e djeshme, “deputetë ose përfaqësues të subjekteve politike Partia Demokratike e Shqipërisë, Partia Republikane dhe Partia e Lirisë iu kanë bërë thirrje tubuesve që së bashku me ta të bllokonin akset rrugore, në mënyrë që mos të kishte lëvizje të mjeteve. Tubuesit kanë kundërshtuar forcërisht punonjësit e Policisë në detyrë, si dhe nuk ju janë bindur urdhrave të tyre, për lirim të akseve rrugore."
Blutë e kryeqytetit saktësojnë, se të arrestuarit dhe proceduarit akuzohen për veprat penale: "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik" dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Ndërsa për deputetët e proceduar penalisht në gjendje të lirë, policia thotë se ata vijnë nga radhët e PD, PR, PL dhe akuzohen për veprat penale: "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik", "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike" dhe "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik".
Blutë theksojnë se deputetët iu kanë bërë thirrje tubuesve, që së bashku me ta, të bllokonin akset rrugore, në mënyrë që mos të kishte lëvizje të mjeteve. Tubuesit kanë kundërshtuar forcërisht punonjësit e Policisë në detyrë, si dhe nuk u janë bindur urdhrave të tyre, për lirim të akseve rrugore.
Opozita gjatë mbajtjes së protestës bllokoi 5 akse të kryeqytetit, pranë bashkisë Tiranë, sheshi Uillson, Zogu i Zi, Pallati me Shigjeta dhe rruga e Elbasanit, nga ora 17:00 deri në orën 20:00.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/