Presidenti i zgjedhur Donald Trump njoftoi mbrëmjen e së dielës se Tom Homan, i cili shërbeu si drejtor në detyrë i Kontrollit kufitar në administratën e tij të mëparshme, do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e kufijve të vendit. "Kam kënaqësinë të njoftoj se Ish-Drejtori i Kontrollit të Kufirit, Tom Homan, do t'i bashkohet Administratës se re, përgjegjës për mbikëqyrjen e kufijve të Kombit tonë”, njoftoi Trump në median e tij sociale.
“E njoh Tomin prej një kohe të gjatë, nuk ka asnjë njeri që të mund të kontrollojë më mirë kufijtë tanë”, shtoi presidenti i zgjedhur duke theksuar se ai do të luajë një rol kyç për dëbimin e të huajve që paligjshëm drejt vendeve të tyre të origjinës. Emigracioni ishte një pikë kyçe e fushatës elektorale të Trump, ndërsa ai ka thënë se që në ditën e parë të presidencës së tij do të nisë operacionin më të madh në historinë amerikane për të dëbuar miliona emigrantë pa dokumente.
Homan, një prej zyrtarëve me qasje të ashpër ndaj migracionit, shërbeu si drejtor kufiri në administratën e parë të Trumpit, përpara se të tërhiqej nga ai post në vitin 2018. Gjatë detyrës ai shpesh ka mbrojtur arrestimet e emigrantëve pa dokumente që kryheshin nga agjentët e tij. Ai gjithashtu mbikëqyri sistemin e migracionit që çoi një numër rekord fëmijësh emigrantësh në paraburgim në SHBA.
/RTSH/