Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump emëroi Kevin Marino Cabrera për postin e ambasadorit amerikan në Panama, pasi më herët paralajmëroi se SHBA duhet të marrë kontrollin e Kanalit të Panamasë, një propozim që ai bëri publik për herë të parë gjatë fundjavës, ndërsa pretendoi se Panamaja përmes tarifave te larta po zhvat anijet amerikane që kalojnë përmes asaj rruge ujore.
Trump tha në një deklaratë se Cabrera, i cili u angazhua gjatë fushatës së tij presidenciale në Florida, do të bëjë një punë fantastike duke përfaqësuar interesat e Shteteve të Bashkuara në atë vend. Trump vazhdoi të mbrojë idenë e zgjerimit territorial të Shteteve të Bashkuara, duke kritikuar tarifat e kalimit në Kanalin e Panamasë dhe duke paralajmëruar se vendi i tij duhet ta marrë kontrollin mbi Kanadane dhe Grenlandën, një territor i kontrolluar nga Danimarka.
Në urimin e Krishtlindjes, presidenti i zgjedhur pretendoi se në Kanalin e Panamasë po operojnë ushtarë kinezë. “Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve, përfshirë ushtarëve të mrekullueshëm të Kinës, që janë duke operuar ilegalisht në Kanalin e Panamasë ku ne kemi humbur 38 mijë njerëz gjatë ndërtimit të tij 110 vjet më parë”- u shpreh Trump.
Në të njëjtin mesazh, Trump e quajti kryeministrin kanadez Justin Trudeau "guvernator", duke nënkuptuar sërish se Kanadaja duhet të bëhet një shtet amerikan. Ai gjithashtu tha se qytetarët e Grenlandës duan që të jenë pjesë e SHBA dhe siguroi se një gjë e tillë do të realizohet.
/RTSH/