RTSH 24 Live

Botë

20 vjet nga cunami më shkatërrues në Azi, përkujtohen mbi 220 mijë viktimat

13 orë para

20 vjet nga cunami më shkatërrues në Azi, përkujtohen mbi 220 mijë viktimat

Azia kujton sot (26 dhjetor) 20 vjetorin e cunamit shkatërrues që i mori jetën rreth 228 mijë njerëzve në dhjetëra vende dhe shkaktoi dëme masive në Indonezi, Sri Lanka, Indi, Maldive dhe Tajlandë. Një tërmet me magnitudë 9.1 në skajin perëndimor të Indonezisë më 26 dhjetor 2004 shkaktoi valë deri në 30 metra të larta që goditën vijën bregdetare të 14 vendeve nga Indonezia në Somali.

Tërmeti ishte i treti më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë në botë dhe më i madhi e më shkatërruesi në Azi. Në provincën Aceh të Indonezisë, ku humbën jetën më shumë se 100 mijë persona, sirena në Xhaminë e Madhe shënoi nisjen e një sërë ceremonish përkujtimore në të gjithë rajonin, që pësoi dëme masive 20 vjet më parë.

Mes viktimave kishte edhe shumë turistë të huaj që ndodheshin në ishujt e atij rajoni për të festuar Krishtlindjen, duke shtrirë tragjedinë në shumë vende të botës.

Në Tajlandë, gjysma e rreth 5 mijë viktimave ishin turistë të huaj. Në Sri Lanka humbën jetën më shumë se 35 mijë persona. Mbi 100 të vdekur u regjistruan në Maldive dhe dhjetëra të tjerë në Malajzi dhe Mianmar.

/rtsh.al/