RTSH 24 Live

Botë

Trump dëshiron bisedime për denuklearizimin me Rusinë dhe Kinën

14/02/2025

Trump dëshiron bisedime për denuklearizimin me Rusinë dhe Kinën

Presidenti Donald Trump tha të enjten se ai dëshiron të rifillojë bisedimet për kontrollin e armëve bërthamore me Rusinë dhe Kinën, dhe se përfundimisht ai shpreson që të tre vendet të mund të bien dakord që të shkurtojnë buxhetet e tyre masive të mbrojtjes. 

Nga Zyra Ovale, Presidenti Trump u ankua për qindra miliarda dollarë që po investohen në ringritjen e kapaciteteve të vendit për parandalimin bërthamor dhe tha se shpreson të marrë angazhime nga vendet kundërshtare të Shteteve të Bashkuara për të shkurtuar shpenzimet e tyre.

“Nuk ka asnjë arsye që ne të prodhojmë armë të reja bërthamore, ne tashmë kemi shumë. Mund të shkatërrohet bota 50 herë, 100 herë, dhe këtu ne po prodhojmë ende armë të reja bërthamore, dhe ata po prodhojnë armë bërthamore. Të gjithë po shpenzojmë shumë para që mund t'i shpenzonim për gjëra të tjera, shumë më produktive", tha Presidenti Trump.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mbajnë rezerva masive armësh që nga Lufta e Ftohtë, Presidenti Trump parashikoi se Kina do ta arrinte këtë kapacitet shkatërrimi bërthamor "brenda pesë ose gjashtë viteve".

Ai tha se nëse armët do të përdoreshin ndonjëherë, "kjo do të sillte ndoshta zhdukje të plotë".

Presidenti Trump tha se do të shqyrtonte mundësinë e angazhimit në bisedime bërthamore me këto dy vende, sapo të "rregullojmë gjithçka" në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

“Një nga takimet e para që dua të kem është me Presidentin Xi të Kinës, Presidentin Putin të Rusisë. Dhe dua të them, 'le ta përgjysmojmë buxhetin tonë ushtarak.' Dhe mund ta bëjmë këtë. Dhe unë mendoj se do të jemi në gjendje ta realizojmë”. AP

/rtsh.al/