Operacioni i Rusisë për të dëbuar forcat ukrainase nga rajoni perëndimor rus i Kurskut ka hyrë në fazën e tij përfundimtare. Lajmi u bë me dije nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi ditën e djeshme një vizitë Kursk për herë të parë që kur forcat ukrainase pushtuan disa territore në rajon.
“Unë po mbështetem në faktin se të gjitha detyrat luftarake me të cilat përballen njësitë tona do të përmbushen dhe territori i rajonit të Kurskut së shpejti do të çlirohet plotësisht nga armiku”, tha Putin.
Lajmi vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të mërkurën (12 mars) se negociatorët janë nisur drejt Rusisë për bisedime mbi një armëpushim të mundshëm me Ukrainën, pasi kjo e fundit ra dakord për një armëpushim 30-ditor.
Trump nuk dha detaje të tjera, por Shtëpia e Bardhë më vonë tha se i dërguari i tij special Steve Witkoff do të shkonte në Moskë gjatë kësaj jave.
Ukraina po vuan gjithnjë e më shumë në fushën e betejës, duke humbur terren në lindje dhe jug të vendit, ku zyrtarët thanë se tetë persona u vranë të mërkurën.
Rusia gjithashtu ka rimarrë territorin në rajonin e saj perëndimor të Kurskut, duke zmbrapsur trupat ukrainase që organizuan një ofensivë shokuese gushtin e kaluar.
/rtsh.al/