Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump po bën paraqitjen e tij të parë në publik, që kur ndaj dit u ngritën akuza federale për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.
Ai do të flasë në një konventë të Partisë Republikane në Gjeorgji, më pas në Karolinën e Veriut. Një aktakuzë prej 37 pikash e bërë publike të premten, e akuzon atë për mbajtjen e dokumenteve të ndjeshme në pronën e tij në Mar-a-Lago. Trump i mohon akuzat.
Ai është akuzuar për keqpërdorim të qindra dokumenteve të klasifikuara, duke përfshirë edhe disa në lidhje me sekretet bërthamore të SHBA-së dhe planet ushtarake.
Prokuroria e akuzo atë për mbajtjen e dosjeve në Mar-a-Lago, pronë e tij në Florida, në një sallë vallëzimi dhe në banjo. Ai akuzohet se ka gënjyer hetuesit, kur u përpoq të pengonte hetimin në trajtimin e dokumenteve nga ana e tij. Këto janë akuzat e para federale kundër një ish-presidenti amerikan.
Trump, i cili kandidon sërish për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, ka reaguar me zemërim ndaj aktakuzës, duke e quajtur atë një "mashtrim" të motivuar politikisht. Ai ka pohuar se "nuk kishte asgjë për të fshehur" dhe i ka dorëzuar dokumentet.
Në një seri postimesh, si dhe një video në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, Trump tha vazhdimisht se ishte i pafajshëm dhe e përshkroi aktakuzën si "luftë politike" kundër tij përpara zgjedhjeve të 2024.
Këshilltari special Jack Smith, i cili mbikëqyri hetimin, tha: "Ne kemi një grup ligjesh në këtë vend dhe ato zbatohen për të gjithë."
Gjeorgjia ka të ngjarë të jetë një fushë beteje kyçe në garën për Shtëpinë e Bardhë dhe është vendi ku Trump humbi ngushtë përballë presidentit aktual Joe Biden në vitin 2020, Gjeorgjia mund të jetë gjithashtu edhe skena e rrezikut të mëtejshëm ligjor për ish-presidentin.
Zyrtarët në këtë shtet aktualisht po shqyrtojnë nëse Trump ka shkelur ligjin kur i kërkoi Sekretarit të Shtetit të Gjeorgjisë, Brad Raffensperger, të "gjente" numrin e saktë të votave që i nevojiteshin për të kthyer votën në favor të tij.