Një 36-vjeçar është vendosur në pranga për veprën penale të transportit klandestin të emigrantëve të huaj, të cilëve u merrte 600 euro për të kaluar kufirin nga Shqipëria.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Komisariati i Policisë Krujë.
Autori u kap në flagrancë duke transportuar në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 600 euro për person, 12 emigrantë që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Kosovës.
36-vjeçari, banues në Kukës, ishte nisur me automjet nga Saranda ku kishte marrë klandestinët, të cilët si destinacion final kishin vendet e Bashkimit Evropian.
Ndërsa organizatori shqiptar i transportit është arrestuar, 12 emigrantët po procedohen në gjendje të lirë për veprën penale "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror".
/rtsh.al/