Trajneri i Xhudos, Driton Kuka, solli një histori interesante në emisionin “Një Shqipëri”, duke treguar fuqinë e këtij sporti, që ndonjëherë tejkalon edhe çështjet politike. Duke e konsideruar si një nga ngjarjet më mbresëlënëse në karrierën e tij, Kuka përmend pjesëmarrjen në kampionatin Europian të Kazan në Rusi në vitin 2016 dhe peripecitë që ekipi i Kosovës kaloi.
Ai tregon se për shkak se Rusia nuk e njihte pavarësinë e Kosovës, u tentua që ekipit të Kosovës t’i ndalohej pjesëmarrja. Kuka thotë se këmbëngulja e tyre që të përfaqësoheshin me simbolet e Kosovës bëri që Presidenti rus, Vladimir Putin të urdhëronte që ekipi i tyre të ishte pjesë e garës.
“Është një ndër ngjarjet më mbresëlënëse në karrierën time, për arsye se shpeshherë pavarësia e Kosovës është parë me një sy kritik prej një pjesë të konsiderueshme shtetesh nëpër botë, ndërsa ne kemi vijuar edh enë shtete mike, por edhe në ato shtete mosnjohëse të Kosovës. Një nga këto shtete është edhe Rusia, ku sporti i xhudos është shumë i zhvilluar. Ka qenë një ngjarje e veçantë për arsye se ne para se të niseshim kemi thënë se marrim pjesë vetëm nëse përfaqësohemi si shtet i Kosovës me simbolet e shtetit tonë. Kjo na u konfirmua parasë të niseshim, por ndryshoi çdo gjë kur mbërritëm,. Kishte një odise dhe lojë ping-pong me ekipin tonë. Ne i shkuam deri në fund, nuk lëshuam pe dhe sipas informacioneve që kemi patur, kishte një mosmarrëveshje të vogël mes Putin dhe Lavrov. Na është thënë që vetë Putin i ka dhënë urdhër ministrit Lavrov dhe organizatorëve që Kosova falë nivelit të lartë sportiv duhet lejuar të marrë pjesë. Ne ishim të vendosur që nëse nuk do përfaqësonim shtetin tonë, nuk do merrnin pjesë”, tregoi ai.
/rtsh.al/