RTSH 24 Live

Aktualitet

Masakra e Urës Vajgurore me 4 policë të vrarë, GJKKO lë në fuqi burgimin përjetë për Fran Marashin

7 orë para

Masakra e Urës Vajgurore me 4 policë të vrarë, GJKKO lë në fuqi burgimin përjetë për Fran Marashin

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm për Fran Marashin, i cili edhe më parë ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më 31 janar 2000, për kryerjen e disa veprave penale të rënda, përfshirë: Pjesëmarrje në banda të armatosura; vrasje me dashje të punonjësit të policisë (katër raste); vrasje me dashje të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë (dy raste); vrasje me dashje dhe heqje e paligjshme e lirisë. 

Marashi, edhe nga GJKKO, është shpallur fajtor për të gjitha akuzat. Vrasja e policëve ka qenë edhe akuza që ka çuar Mirashin në burgim të përjetshëm. 

GJKKO njofton se me datë 19.09.2023 pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është paraqitur për gjykim çështja penale në ngarkim të të pandehurit Fran Marashi.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Flojera Davidhi, vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale “Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”, në formën e pjesëmarrjes në bandë të armatosur, dhe në bazë të këtij neni e dënoj atë me 10 vjet burgim.

GJKKO vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi edhe për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, në dëm të viktimës I.B, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, duke e dënuar me 20 vjet burgim.

Gjithashtu, GJKKO vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, në dëm të viktimës M.K, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, e dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

“Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, në dëm të viktimës A.Sh, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, e dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, në dëm të viktimës A.S, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, e dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, në dëm të viktimës I.B, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, e dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e mbetur në tentativë në dëm të viktimës Th.T, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, e dënimin e tij me 35 (tridhjete e pesë) vjet burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e mbetur në tentativë në dëm të viktimës Y.Dh, e dënimin e tij me 35 (tridhjete e pesë) vjet burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale“Heqja e paligjshme e lirisë”, në dëm të viktimës K.B, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, e dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal në bashkim të dënimeve, i pandehuri Fran Marashi, përfundimisht dënohet me një dënim të vetëm me burgim të përjetshëm.”, thuhet në vendimin e GJKKO-së.

Gjykata vendosi që vuajtja e dënimit do të kryhet nga i pandehuri Fran Marashi në një burg të sigurisë së lartë.

Kush është Fran Marashi?

Fran Marashi, është i dënuar me burgim të përjetshëm si një nga autorët e Masakrës së Urës Vajgurore, ku mbetën të vrarë 5 persona mes tyre 4 policë. Fran Marashi u arrestua në vitin 2006 në Itali dhe u ekstradua në atdhe në 2007 për të vuajtur dënimin për “Masakrën e Urës Vajgurore”. Megjithatë, në vitin 2008, ai kishte mundur të arratisej nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Burrel së bashku me një të dënuar tjetër, por ishte kapur brenda ditës nga policia.

Më 20 shtator 2011 Fran Marashi tentoi sërish të arratiset nga Burgu i Sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, së bashku me Gëzim Gurin dhe Prel Vucaj të dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Altin Kodra ishte dënuar me 22 vjet burg. Ata u pikasën nga roja e shërbimit jashtë qelisë së tyre. Hera e fundit e përpjekjes për t’u arratisur ndodhi në Burgun e Drenovës në 23 nëntor 2013. Fran Marashi dhe 6 të dënuar të tjerë, mes tyre dhe Admir Tafili mundën të arratiseshin nga IEVP Drenovë. Marashi u kap më pas. Në 13 dhjetor 2013, ai kërkoi në Gjykatën e Tiranës rigjykimin ndaj tij për “Masakrën e Urës Vajgurore”.

Si ndodhi “Masakra e Urës Vajgurore” në ditën e fushatës elektorale?

Përplasja e armatosur në Urën Vajgurore ka filluar në orën 11:55 të paradites së 17 qershorit 1997, pas shumë mitingjeve elektorale të partive politike në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme pasi vendi ishte zhytur prej muajsh të tërë në destabilitet total pas rënies së firmave piramidale.

Atë ditë, në këtë qytet ishin Fatos Nano, asokohe kryetar i PS, i shoqëruar nga Skënder Gjinushi, ndërsa në komunën Poshnje përfaqësonin PD në miting Azem Hajdari dhe Genc Pollo. Pas mbarimit të dy mitingjeve, eskorta e PD u largua dhe pas saj erdhi ajo e Fatos Nanos dhe Skënder Gjinushit, si dhe anëtarë e simpatizantë të tjerë të kësaj partie.

Në kthimin e eskortës së policisë, pikërisht në Urën Vajgurore, persona të armatosur dhe me maska sulmuan me armë të rënda anti-tank autoblindën e policisë, ku për pasojë, dy prej policëve, Milto Koçi dhe Arjan Shemani u dogjën brenda tankut. Dy të tjerët, Asllan Selami dhe Ilia Bano u vranë sapo dolën nga flakët e blindës. Ndërkohë që të plagosur mbetën punonjësit e policisë: Thimi Tanku, Ylli Dhamo, Neim Gjeroveni, Engjëllush Pasha, Arben Bega dhe Shkëlqim Selfo. Për fat të keq, nga përplasjet e shumta me armë ndërroi jetë dhe 1 civil, i quajtur Ilir Bani.

/rtsh.al/