Çdo qytetar që do të udhëtojë përmes Aeroportit të Rinasit, duhet të paraqitet 3 orë përpara kohës së nisjes së avionit, për të bërë check-in. Ky orar duhet të respektohet deri më datë 10 shtator.
Njoftimi i TIA, i dhënë një ditë më parë (8 gusht), sqaron se kjo masë është marrë për shkak të fluksit të lartë të pasagjerëve në këtë periudhë.
“Për të siguruar udhëtim të qetë dhe për të akomoduar vëllime të rritura të pasagjerëve gjatë kësaj periudhe, ne kërkojmë me mirësi të gjithë pasagjerët të mbërrijnë në aeroport të paktën 3 orë përpara kohës së planifikuar të nisjes. Kjo masë proaktive do të na ndihmojë të mbajmë operacione efikase dhe t'ju ofrojmë një përvojë pa stres.
Ju lutemi, merrni parasysh kohën e mundshme shtesë që kërkohet për kontrollin e bagazheve, kontrollet e sigurisë dhe çdo rrethanë të paparashikuar që mund të lindë”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/