RTSH 24 Live

Ekonomi

TIA: 8 milionë pasagjerë nga 1 janari deri më 21 shtator të këtij viti

24/09/2024

TIA: 8 milionë pasagjerë nga 1 janari deri më 21 shtator të këtij viti

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka vendosur një rekord të ri, duke tejkaluar 8 milionë pasagjerë nga 1 janari deri më 21 shtator 2024.

Lajmi u bë i ditur nga TIA në një postim në rrjetet sociale, ku theksohet se vijon të ketë  rritje të konsiderueshme në trafikun e pasagjerëve.

Krahasimisht, TIA e mbylli vitin 2023 me 7.25 milionë pasagjerë, duke shënuar një rritje të konsiderueshme nga viti në vit.

“Një falënderim i veçantë shkon për pasagjerët tanë për durimin dhe mirëkuptimin e treguar për çdo vonesë që mund të ketë ndodhur gjatë udhëtimeve të tyre. Është e rëndësishme të theksojmë se, megjithëse nuk kemi pasur kontroll mbi trafikun ajror të ngarkuar globalisht gjatë verës, një sfidë me të cilën janë përballur aeroportet dhe linjat ajrore në mbarë botën, stafi i TIA-s ka punuar me përkushtim për të siguruar që të gjitha proceset e shërbimit në tokë të përfundonin në kohë”, thekson TIA.

TIA gjithashtu shpreh mirënjohjen për Albcontrol, Autoritetin e Aviacionit Civil dhe aktorët e tjerë qeveritarë.

“Së bashku, jemi duke përmirësuar vazhdimisht për të përmbushur nevojat e pasagjerëve dhe linjave ajrore”, tha TIA.

Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas është tashmë aeroporti me fluksin më të lartë në rajon të pasagjerëve, falë linjave të reja dhe veçanërisht mundësive për lidhje me vende që nuk ishin të lehta e të arritshme më parë.

 

/ rtsh.al /