Tetori është muaji i librit dhe cilësohet një periudhë e veçantë për lexuesit, shkollat, bibliotekat dhe libraritë.
Biblioteka publike në Shkodër “Marin Barleti” ofron libra të gjinive dhe fushave të ndryshme për lexuesit.
"Kryesisht janë gjimnazistët, të cilët frekuentojnë bibliotekën, marrin librat që u kërkohen nga shkolla, por kohën e lirë jemi të lumtur, se e shfrytëzojnë duke marrë edhe literaturë. Përveç rinisë biblioteka frekuentohet nga mosha të ndryshme, siç janë fëmijët te fondi i fëmijëve dhe mosha e tretë," tregon punonjësja e bibliotekës, Sidita Halluni.
Shkrimtarja Arjola Zadrima thekson se intersi nga të rinjtë per librin është zbehur disi.
"E shoh që janë disi të kufizuar me librin, sepse e kufizojnë veten nga rrjetet sociale. Nuk mund të them që të gjithë nuk lexojnë: ka që lexojnë, që realisht shtyhen drejt letërsisë dhe pasionit për të shkruar, dhe kjo u jep interesin për të lexuar letërsi të mirë. Pjesa e bukur është se kërkojnë të dinë sa më shumë, të ushqehen e kultivohen me letërsi. Letërsia klasike duhet për t'u kultivuar, por duket si e dalë nga moda," shprehet znj. Zadrima.
Është quajtur " Tetori i librit", në çdo muaj vlerat e librit janë të padiskutueshme, por në këtë muaj i jepet rëndësi e veçantë të lexuarit, pasi synohet që e gjithë vëmendja të kthehet tek libri.
Gazetar: Luan Kadija
/RTSH/