Qeveria ka shpallur datën 13 shkurt 2023 Ditë Zie Kombëtare, në shenjë solidariteti me Turqinë dhe Sirinë pas tragjedisë së të hënës, ku tërmeti i mori jetën më shumë se 23 mijë personave. Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama, i cili, në një postim në Facebook kujton ndihmën që Turqia i dha Shqipërisë kur vendi u godit nga tërmeti më 26 nëntor 2019.
Më 13 shkurt, të hënën, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtizë, ndërsa, kushdo sipas dëshirës, mund të ndezë qirinjë në shenjë solidariteti.
“Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, do të jetë Ditë Zie Kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë. Ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”, shkruan Rama.
Më shumë se 22,000 njerëz kanë humbur jetën në Turqinë jugore dhe Sirinë veriore, si pasojë e një tërmeti të fortë pre 7.8 ballë. Ende vijojnë kërkimet nën gërmadhat e ndërtesave, teksa shpresat për të gjetur të mbijetuar po shuhen. Shqipëria ka dërguar një ekip me 73 anëtarë të forcave të kërkim shpëtimit, mjekë, por edhe pjesëtarë të Forcave të Armatosura për t’i ardhur në ndihmë Turqisë.
/rtsh.al/