RTSH 24 Live

Botë

Tërmeti/ Rritet bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, 4940 persona humbin jetën! OBSH: Numri mund të rritet në 20 mijë

07/02/2023

Tërmeti/ Rritet bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, 4940 persona humbin jetën! OBSH: Numri mund të rritet në 20 mijë

Të paktën 4,940 viktima janë shënuar deri më tani në të dy anët e kufirit Turqi-Siri, 24 orë pasi tërmeti me magnitudë 7.8 i shkallës rihter goditi dy vendet, ndërsa numri i të plagosurve ka kaluar shifrën e 20 mijë.

Por, teksa mijëra persona të tjerë janë plagosur, dhe një numër i lartë ndodhet ende nën rrënoja, mbetet frika e rritjes së numrit përfundimtar të viktimave.

Një përpjekje masive ndërkombëtare e shpëtimit është duke u zhvilluar në  Turqi dhe Siri  për të qytetarët që prej 24 orësh ndodhen poshtë rrënojave, në kushte tejet të pafavorshme, pasi i ftohti dhe ngrica vështirësojnë tejet situatën.

Koordinatori humanitar i OKB-së në Siri, El-Mostafa Benlamlih, tha se misioni i kërkim-shpëtimit po pengohej nga mungesa e pajisjeve dhe makinerive të rënda. Ai tha se rezervat e OKB-së janë shpërndarë dhe nevojiten më shumë ilaçe dhe pajisje mjekësore, dhe veçanërisht ujë të freskët ose mjete për të riparuar rezervuarët e dëmtuar të ujit.

“Ekipet tona po punojnë gjatë gjithë kohës për të ndihmuar në shpëtimin e personave të lënduar. Por aftësitë tona, fuqitë tona nuk janë të mjaftueshme për të përballuar këtë fatkeqësi. Kjo fatkeqësi ka nevojë për përpjekje ndërkombëtare për të trajtuar”, tha ai.

Ndërsa shkalla e shkatërrimit nga tërmeti me magnitudë 7.8 ka vazhduar të shpaloset, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se numri i viktimave mund të kalojë 20,000.

 

/rtsh.al/