RTSH 24 Live

Politikë

Tërheqja e PS-së nga Amnistia Penale, Bardhi: Donin të amnistonin ministrat e korruptuar

22/02/2024

Tërheqja e PS-së nga Amnistia Penale, Bardhi: Donin të amnistonin ministrat e korruptuar

Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka deklaruar për mediat se Parlamenti është shndërruar në një organ që miraton ligje në dobi të një grushti njerëzish.

Teksa komentoi vendimin e qeverisë për t’u tërhequr nga votimi i pr.ligjit për Amnistinë Penale, Bardhi u ndal edhe te votimi i pr.ligjit për Zonat e Mbrojtura dhe bashkimi i votave të PDIU-së me PS-në për t’i dhënë “OK” Marrëveshjes me Italinë për emigrantët.

Në lidhje me këtë të fundit, Bardhi u shpreh se dëmtohen interesat publike të Shqipërisë dhe cenohet siguria kombëtare.

“Në rendin e ditës nuk kishte asgjë të mirë për qytetarët shqiptar. Ka kohë që parlamenti është shndërruar në një organ që nuk miraton më ligje në dobi të qytetarëve, pro ligje me porosi në dobi të një grushti njerëzish. Për shkak se nuk arritën dot pazaret e tyre e tërhoqën ligjin e Amnistisë. Nga një pr.ligj humanitar ku duhet të përfitonin qytetarët në nevojë apo qytetarët e zakonshëm që ndodhen në burg, e shndërruan në ligj për të amnistuar ministra, kryetarë bashkish apo drejtorë të korruptuar të kësaj qeverie. Tentuan të mashtronin opinionin publik duke ia faturuar opozitës. Ata u tërhoqën nga pr.ligji, dhe në një procedurë të tillë pa konsensus s’mund të ketë kurrë votën e asnjë opozitare. Ligji I sjelljes së emigrantëve në Shqipëri, duke shprehur mirënjohjen për shtetin Italian për mbështetjen që na ka dhënë, kjo marrëveshje tejkalon pritshmëritë e qytetarëve, sa kohë dëmton interesin publik të Shqipërisë dhe cenon sigurinë kombëtare.

Së treti ligji për Zonat e Mbrojtura, planifikohet të vidhet e nxirren në treg pasuritë kombëtare të shqiptarëve.

Seanca nuk ishte normale sa kohë nuk përmbushen kërkesat legjitime të opozitës”, tha ai.

Pyetur nëse e sheh bashkimin e votave të PDIU-së me PS-në për Marrëveshjen me Italinë si një divorc nga PD-ja, Bardhi u shpreh se “Kryetarja e grupit ka dhënë shpjegimin e saj dhe unë s’kam çfarë të shtoj. Një parti parlamentare në momente të caktuara mund të marrë vendime të caktuara”.

/rtsh.al/