Organizata mercenare ruse Wagner ka bërë thirrje për rebelim ndaj ushtrisë ruse, ndërsa ka njoftuar se ka përparuar në rajonin e Rostovit në Rusi, me liderin e saj Yevgeny Prigozhin duke deklaruar se janë gati të "shkatërrojnë gjithçka" në rrugën e tyre, si pjesë e qëndrimit kundër ushtrisë më të lartë ruse.
Me intensifikimin e krizës brenda Rusisë, presidenti Vladimir Putin, pritet t'u drejtohet qytetarëve, ndërkohë që tashmë janë vendosur masa të shtuara sigurie në Moskë dhe në rajonet e Rostovit , fqinjë me Ukrainën dhe Lipetsk.
Në veçanti, në rajonin e Rostovit, ku Wagner thotë se forcat e saj kanë mbërritur, autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre .
"Agjencitë e zbatimit të ligjit po marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e banorëve të rajonit Rostov. I kërkoj të gjithëve të ruajnë qetësinë dhe të mos largohen nga shtëpitë e tyre nëse nuk është absolutisht e nevojshme”, tha Guvernatori i Rostovit Vasily Golubev.
Fotografitë dhe postimet në internet tregojnë burra të armatosur me uniformë të vendosur rreth ndërtesave qeveritare. Kreu i Wagner Yevgeny Prigozhin tha në mesazhin e tij audio se forcat e tij kaluan nga Ukraina në territorin e Rusisë dhe se ato kanë depërtuar në qytetin e Rostovit.
Në të njëjtën kohë, guvernatori i Lipetsk, i vendosur 420 kilometra në jug të Moskës, njoftoi gjithashtu miratimin e "masave të shtuara të sigurisë".
"Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet mbrojtjes së infrastrukturës kritike ," tha Igor Artamonov, duke i bërë thirrje popullatës që të "qëndrojnë të qetë" dhe të shmangin udhëtimet në jug, në drejtim të rajoneve ruse në kufi me Ukrainën./ CNN
/rtsh.al/