RTSH 24 Live

Lifestyle

Temperaturat e larta, disa këshilla si të qëndrojmë të freskët e të hidratuar

18/07/2022

Temperaturat e larta, disa këshilla si të qëndrojmë të freskët e të hidratuar

Temperatura mjaft të larta kanë prekur të gjithë vendin në fillim të kësaj jave, kushte atmosferike që pritet të na shoqërojnë edhe për ditët në vijim. Edhe pse duket se nuk po mundemi të gjejmë “shpëtim” mes këtyre temperaturave, ka disa këshilla që na ndihmojnë.

Një nga këshillat më kryesore është të mos qëndrojmë të ekspozuar në diell në orarin nga ora 11:00 deri në orën 15:00. Për të mbajtur ambientet tuaja të freskëta, do të ndihmonte fikja e dritave jo thelbësore dhe pajisjeve elektrike pasi ato prodhojnë nxehtësi. Mbani dritaret që janë të ekspozuara ndaj diellit të mbyllura gjatë ditës dhe hapini në darkë, ku temperaturat kanë rënë.

Nëse do të dilni jashtë, merrni masat paraprake të nevojshme. Vishni rroba të lehta dhe të gjera, mbani syze dielli, vendosni krem kundër diellit, kapele dhe merrni ujë me vete. Është gjithashtu e rëndësishme që të shmanget aktiviteti i tepruar fizik. Qëndrimi të hidratuar kur temperaturat janë shumë të larta është shumë e rëndësishme, ndaj sigurohuni të pini sa më shumë lëngje. Kujdes, është mirë të shmangni alkoolin.

/rtsh.al/