RTSH 24 Live

Art

Teatri "Aleksandër Moisiu" fiton “Moisiu On” 

27/03/2021

Teatri "Aleksandër Moisiu" fiton “Moisiu On” 

Teatri Aleksandër Moisiu në Durrës u vlerësua me çmimin e publikut në festivalin mbarëkombëtar teatror që u zhvillua online pak ditë më parë. Festivali në fjalë i titulluar“Moisiu On” u zhvillua për tre javë dhe çmimin e  publikut e fitoi komedia “Martesa” e dramaturgut të madh rus Anton Çehov, me regji të Driada Dervishit. 
Në një ceremoni të zhvilluar për këtë qëllim me aktorë e drejtues të teatrit Aleksandër Moisiu në Durrës në ditën botërore të teatrit, mori pjesë edhe kryetarja e bashkisë Durrës Emiriana Sako. Regjisorja Driada Dervishi duke folur në këtë ceremoni tha se dita botërore e teatrit festohet që nga viti 1962 dhe instituti ndërkombëtar i teatrit në Paris përzgjedh që nga ai vit një mesazh nga një aktor i shquar që përkthehet në të gjitha gjuhët e botës. Regjisorja Dervishi ka lexuar mesazhin e aktores fituese e cmimit Oscar Helen Mirren, mesazh i cili përqendrohet tek vështirësitë e aktorëve në kohë pandemie.
Pasi ka uruar trupën e teatrit për çmimin e fituar, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako tha se ka qenë një periudhë e vështirë për të gjithë, përfshirë edhe aktorët. Ajo shtoi se tashmë që do të fillojë fushata e vaksinimit masive besojmë se shumë shpejt do të rikthehen emocionet direct nga skena, jo vetëm online.