Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me projektin e Bashkimit Evropian për Qeverisjen e Mirë, organizuan tryezën e diskutimit me organet e sipërmarrjeve dhe sektorit publik me temën "Kuptimi dhe zbatimi i ligjit për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit në sektorin publik".
Komisioneri Besnik Dervishi u ndal te rëndësia që ka jo vetëm ruajtja e të dhënave publike, por edhe administrimi e publikimi i tyre, si një mjet për më shumë transparencë dhe llogaridhënie të autoriteteve dhe sipërmarrjeve publike.
"Të dhënat e hapura përfshijnë një riorganizim dinamik të pushtetit të sektorit publik, duke hequr dorë nga roli i tij si mbajtës i informacionit dhe duke marrë një rol të ri, atë të ofruesit të informacionit. Këtu është gjithë diferenca që ne duhet të kuptojmë e zbatojmë nga ky ligj. Të dhënat e hapura janë thelbësore për disa arsye. Hapja e të dhënave promovon transparencën në qeverisje, duke i bërë informacionin në lidhje me aktivitetet, vendimet dhe shpenzimet e qeverisë të aksesueshme për publikun," u shpreh z. Dervishi.
Përfaqësues të projektit të BE-së për Qeverisjen e Mirë e vlerësuan pozitivisht miratimin e ligjit të ri për të dhënat e hapura nga Shqipëria, të përafruar në masë të gjerë me direktivat evropiane.
Ata vunë në dukje se tani me rëndësi do të jetë implementimi i ligjit, duke rritur aksesin tek të dhënat e disponueshme nga autoritetet publike, si edhe ndërgjegjësimin e përdoruesve.
Ata shprehën gjithashtu angazhimin për të vijuar mbështetjen ndaj Zyrës së Komisionerit përmes projekteve të asistencës.
Grupet e prekura nga fushëveprimi i këtij ligji janë organet e sektorit publik, sipërmarrjet publike, biznesi, shoqëria civile, qytetarët dhe grupe të ndryshme palësh të interesuara.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/