RTSH 24 Live

Rajon

Targat serbe/ BE fton në Bruksel Vuçiç dhe Kurtin, Stano: Shpresojmë në zgjidhjen e problemit para 21 nëntorit

18/11/2022

Targat serbe/ BE fton në Bruksel Vuçiç dhe Kurtin, Stano: Shpresojmë në zgjidhjen e problemit para 21 nëntorit

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano ka bërë me dije se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë ftuar në Bruksel për një takim të nivelit të lartë për të gjetur një "zgjidhje evropiane" për vendimin e Prishtinës për konvertimin e targave serbe në ato kosovare. Stano shpreson se zgjidhja e kësaj çështje të bëhet para 21 nëntorit.

"Ne i kemi ftuar në Bruksel për të diskutuar një mënyrë për të gjetur një rrugëdalje. Shpresojmë që ata të vijnë shumë shpejt, në mënyrë që ta zgjidhim çështjen, para 21 nëntorit, jo më pas, siç tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme Josep Borel. Shpresojmë që ata të jenë në gjendje të vijnë shumë shpejt," tha Stano duke vënë në dukje se Vuçiç dhe Kurti ishin të ftuar për të diskutuar "një mënyrë për të gjetur një rrugëdalje nga situata që është më e rënda që nga viti 2013".

Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, akt i cili ka rritur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë. BE-ja ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës shtyrjen e planit për riregjistrimin e makinave, me qëllim shmangien e tensioneve, ndërsa kjo e fundit ka nisur zbatimin në nëntor.

/rtsh.al/