RTSH 24 Live

Film

Takimi i fundit, yjet e serialit “Friends“ përcjellin me Methju Perrin

04/11/2023

Takimi i fundit, yjet e serialit “Friends“ përcjellin me Methju Perrin

Familjarët i kanë dhënë lamtumirën e fundit aktorit Methju Perri ( Matthew Perry ) në një ceremoni private të zhvilluar të premten. 

Aktori, që njihet me së shumti me emrin e personazhit në serialin e famshëm televiziv “Frends” Çendler Bing ( Chandler Bing )
tashmë prehet në varrezat e Los Anxheles, kanë raportuar mediat amerikane. 

Duke iu referuar të njëjtave burime, 5 yjet e serialit televiziv amerikan Xhenifer Aniston ( Jennifer Aniston ), Kurtnei Koks (Courteney Cox), Liza Kudrou ( Lisa Kudrow ), Met LeBlank ( Matt LeBlanc ) dhe Deivid Shvimer ( David Schwimmer ) morën pjesë në ceremoninë mortore së bashku me familjen e aktorit të ndjerë. 

Methju Perri u gjet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Los Anxheles fundjavën e kaluar. Shkaku i vdekjes së aktorit  ende nuk është konfirmuar, pasi autoritetet janë në pritje të rezultateve të testeve toksikologjike. 

Ai u nda nga jeta më 29 tetor në moshën 54-vjeçare, një vit pas publikimit të librit të tij, në të cilin ka treguar më shumë për problemet e tij me varësinë ndaj alkoolit. Në ditën e varrimit u themelua një fondacion i ri me emrin e Methju Perrit për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë probleme të ngjashme me të. Methju Perri luajti rolin e Çendler Bing në serialin “Frends” nga viti 1994 deri në vitin 2004. Ndarja e tij nga jeta shkaktoi hidhërim tek miqtë, por edhe tek dashamirësit e tij në të gjithë botën. 

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /