RTSH 24 Live

Kulturë

Sot ndahen çmimet Oscar - Garë e fortë mes "Oppenheimer" dhe "Barbie" për filmin më të mirë

10/03/2024

Sot ndahen çmimet Oscar - Garë e fortë mes "Oppenheimer" dhe "Barbie" për filmin më të mirë

Ceremonia e 96-të e çmimeve Oscar do të zhvillohet sonte në mbrëmje në Teatrin e famshëm Dolby në Los Angeles .

Fituesi i çmimet“ EMMY“, Jimmy Kimmel do të ngjitet në skenën e madhe për të katërtën herë radhazi si prezantues i natës gala së bashku me emra të njohur të kinemasë dhe fitues të tjerë të çmimeve Oscar në kategori të ndryshme, teksa për të dytin vit radhazi rikthehet edhe bashkëshortja e tij Molly McNearney si producente.

The New York Times ka analizuar listën e pretendentëve kryesorë për çmimet Oscar dhe bazuar në analizën e kritikës, por edhe publikut online, ka publikuar filmat dhe aktorët që parashikohet të fitojnë.

Ashtu sikurse pritej ka një garë të fortë mes filmit “Oppenheimer” dhe “Barbie”. Oppenheimer, drama me bombën atomike i cili është bazuar në një histori të vërtetë është nominuar në 13 kategori të ndryshme, vetëm një nominim larg rekordit absolut, ndërsa edhe regjisori i filmit Christopher Nolan është pretendent për të fituar statujën Oscar si regjisori me i mire, teksa është konsideruar si ndër më të mirët e gjeneratës së tij.

Edhe pse Margot Robbie, në rolin e Barbie nuk ja doli të nominohej për çmimin “Aktorja më e mirë” dhe as Greta Gerwig për çmimin “Regjisorja më e mirë”, filmi ka marrë 8 nominime dhe paraqet një sfidë të madhe kundrejt Oppenheimer në kategorinë filmi më i mirë.

Po ashtu edhe Martin Scorsese renditet mirë me 11 nominime për filmin Killers of the Flower Moon. Të nominuar në kategorinë si aktorja më e mire janë Annette Bening, Lily Gladstone Sandra Hüller, Carey Mulligan, dhe Emma Stone.

Ndërsa në kategorinë aktori më i mirë renditen Bradley Cooper, Colman Domingo, Paul Giamatti, Cillian Murphy dhe Jeffrey Wright.

Ceremonia do mbahet live dhe bota i ka sytë nga çmimet, të cilat edhe këtë vit nuk mbeten pa debate dhe kritika të hapura.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/